Vendosni fjalën kyçe....

BE reagon ndaj tarifave të reja amerikane, Von der Leyen thotë se do të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm


Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Bashkimi Europian do të vijojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara deri më 1 gusht, pas vendimit të fundit të Uashingtonit për të rritur ndjeshëm tarifat ndaj mallrave të importuara nga BE, përcjell DW.

Sipas von der Leyen, blloku europian mbetet i gatshëm të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e veta, ndërkohë që tensionet tregtare me SHBA-në janë rritur ndjeshëm.

Deklarata e saj erdhi pasi u bë e ditur se administrata amerikane kishte vendosur një tarifë prej 30% ndaj produkteve të BE-së që hyjnë në SHBA – një nivel më i lartë se ai që ishte paralajmëruar nga presidenti amerikan Donald Trump në prill.

Zyrtarë të BE-së kanë shprehur shqetësimin për ndikimin e këtyre masave në tregtinë dypalëshe dhe në ekonominë europiane, duke theksuar nevojën për dialog dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit tregtar.