Vendosni fjalën kyçe....

15 vatra zjarri në vend, 4 ende aktive, përfshirë Parkun Kombëtar Lurë



Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se gjatë ditës së martë, 8 korrik 2025, janë regjistruar gjithsej 15 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 11 janë shuar, ndërsa 4 mbeten ende aktive.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (AKMC), vatrat janë lokalizuar në disa qarqe, ku është angazhuar një numër i madh forcash zjarrfikëse, trupa ushtarake dhe vullnetarë.

Vatrat e shuar përfshijnë:

  • Mnelë e Madhe (Vau i Dejës)

  • Karahaxhë (Finiq)

  • Lagjja nr. 6 (Kavajë)

  • Stajkë (Bushat, Vau i Dejës)

  • Porodinë (Korçë)

  • Gur i Bardhë (Dimal)

  • Radësh (Skrapar)

  • Togëz (Librazhd)

  • Mbrostar (Fier)

  • Katundi i Ri (Kurbin)

  • Mamëz (Kukës)

Vatrat aktive:

1. Vlorë – Tragjas-Dukat:
Në zonën e quajtur “Sotiran”, zjarri vijon në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Janë angazhuar 40 trupa ushtarake dhe një helikopter Cougar. Zjarri nuk rrezikon banesat.

2. Berat – Zgërbonjë, Poliçan:
Vatra është aktive që prej 5 korrikut. Pavarësisht përpjekjeve të 30 efektivëve të MZSH dhe 20 ushtarakëve, zjarri vijon të digjet në trungjet brenda perimetrit. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

3. Dibër – Fushë Bulqizë:
Zjarri është me intensitet të ulët në një sipërfaqe prej 17 ha, pa rrezik për pyjet përreth. Janë të angazhuar forcat zjarrfikëse, shërbimi pyjor dhe vullnetarë.

4. Dibër – Parku Kombëtar Lurë (Liqeni i Luleve):
Zjarri i nisur më 7 korrik ka përfshirë sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadhe. Për shkak të erës, flakët janë zgjeruar dhe paraqesin rrezik për zonat pyjore të parkut. Në vendngjarje janë angazhuar forca nga administrata e zonave të mbrojtura, banorë vullnetarë dhe helikopteri Cougar. Deri më tani, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile mbetet në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, nëse situata përkeqësohet.