Vendosni fjalën kyçe....

Tedi Blushi: Të ndalet ndërhyrja politike në pushtetin vendor


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar sot përmes një deklarate për shtyp, duke i bërë thirrje Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës që të monitorojë ecurinë e reformave në Shqipëri.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për shkelje të autonomisë së pushtetit vendor dhe për ndërhyrje të papranueshme në punët e bashkive.

“Partia e Lirisë dënon me forcë ndërhyrjet e përsëritura dhe të paprecedenta të kryeministrit Edi Rama në punët e brendshme të bashkive, veçanërisht rastet flagrante në Bashkinë e Tiranës dhe së fundmi në Bashkinë e Vlorës,” tha Blushi.

Sipas tij, këto veprime përbëjnë shkelje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, duke cenuar thelbin e reformës territoriale dhe procesin e decentralizimit.

Blushi kujtoi se Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 108 pika 4, përcakton qartë se “Vetëqeverisja në njësitë vendore ushtrohet nëpërmjet organeve të tyre përfaqësuese”, ndërsa Karta Evropiane për Autonominë Vendore thekson të drejtën e bashkësive vendore për të drejtuar një pjesë të konsiderueshme të çështjeve publike.

“Çdo përpjekje e kryeministrit për të diktuar vendimmarrje administrative në bashki, për të emëruar apo shkarkuar drejtorë apo për të urdhëruar ndryshime në drejtimin lokal, përbën një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore,” shtoi Blushi.

Ai paralajmëroi se nëse këto ndërhyrje nuk ndalohen, pushteti vendor do të rrezikojë të shndërrohet në një zgjatim të thjeshtë të qeverisë qendrore, duke humbur rolin përfaqësues dhe funksionin si garant i interesit publik.

Partia e Lirisë kërkon:

  1. Ndërprerjen e menjëhershme të çdo forme ndërhyrjeje politike në punët e bashkive;
  2. Respektimin e plotë të autonomisë kushtetuese dhe ligjore të pushtetit vendor;
  3. Ndërhyrjen e institucioneve brenda dhe jashtë vendit për të garantuar zbatimin e ligjit;
  4. Marrjen e masave ligjore kundër çdo akti që cenon ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e organeve vendore;
  5. Angazhimin e të gjitha shoqatave që përfaqësojnë bashkitë për të mbrojtur autonominë vendore dhe monitorimin e situatës nga Kongresi i Autoriteteve Lokale të KiE dhe institucionet e Komisionit Evropian.

Në përfundim, Blushi u bëri thirrje shoqërisë civile, Këshillit të Europës dhe institucioneve të BE-së që monitorojnë reformat demokratike në Shqipëri, të reagojnë ndaj kësaj situate që, sipas tij, rrezikon të minojë demokracinë dhe rendin kushtetues të vendit.

“Shqipëria nuk mund të drejtohet me dorë të hekurt nga një njeri që kërkon të kthejë pushtetin në pronë personale. Demokracia nuk mund të funksionojë pa ndarje pushtetesh dhe pushteti vendor nuk është thjesht dekor ceremonial, por themel i një shteti demokratik dhe pranë qytetarit,” përfundoi Blushi.