Vendosni fjalën kyçe....

Shëngjini mbushet me pushues, korriku sjell fluks rekord nga Kosova


Muaji korrik ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të pushuesve në Shëngjin, krahasuar me qershorin. E gjithë vija bregdetare është e mbushur, kryesisht me pushues nga Kosova, të cilët prej vitesh e kanë kthyer këtë zonë në një nga destinacionet e tyre të preferuara verore.

Pushuesit shprehen të kënaqur me kushtet, pastërtinë dhe çmimet në hotele e restorante, duke e vlerësuar Shëngjinin si një vend ideal për pushime familjare.

Sipas administratorit të Shëngjinit, Brahim Demi, janë marrë masa të shtuara për menaxhimin e mbetjeve dhe mirëmbajtjen e vijës bregdetare, me synim që çdo vizitor të përjetojë një eksperiencë të këndshme dhe të sigurt.

Janë shtuar punonjësit sezonalë, janë vendosur mjete për sitjen e rërës dhe është rritur prania e shërbimeve në terren,” – thekson Demi.

Shëngjini, së bashku me Kunen dhe Ranën e Hedhun, ofron plazhe të gjera me rërë të pastër, ujë të kthjellët dhe një atmosferë të qetë – elementë që e bëjnë zonën gjithnjë e më të preferuar nga pushuesit vendas dhe të huaj.

Kapacitetet akomoduese janë zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit dhe aktualisht llogariten mbi 25 mijë shtretër. Operatorët turistikë raportojnë se gjatë muajve korrik dhe gusht, njësitë e akomodimit punojnë me kapacitet të plotë, me dhoma të rezervuara muaj më parë.

Në bashkëpunim me Bashkinë e Lezhës, strukturat përgjegjëse dhe bizneset lokale kanë intensifikuar përpjekjet për të ofruar standarde sa më të larta shërbimi, ndërkohë që mobilizimi i administratës qendrore dhe vendore vijon si pjesë e Task Forcës për sezonin turistik, e ngritur pas vizitës së fundit të kryeministrit në bregdetin e jugut.