Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytje katastrofike në Teksas, 24 të vdekur pas stuhive të fuqishme


Përmbytje katastrofike kanë goditur shtetin e Teksasit në SHBA, si pasojë e stuhive të fuqishme të shoqëruara me reshje të dendura shiu, të ushqyera nga lagështia tropikale që vjen nga Gjiri i Meksikës. Reshjet me intensitet të lartë kanë rënë mbi një zonë relativisht të vogël, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme dhe vdekjeprurëse. Në disa zona janë regjistruar deri në 380 mm shi, duke bërë që lumenjtë të dalin me shpejtësi nga shtrati dhe të përmbytin rrugë, banesa dhe kampe fëmijësh.

Deri më tani, autoritetet konfirmojnë se të paktën 24 persona kanë humbur jetën, përfshirë pesë nga qyteti i Hjustonit. Ndërkohë, 237 persona janë shpëtuar ose evakuuar nga zonat e rrezikuara, përfshirë 167 që janë nxjerrë me helikopter. Shqetësim i madh mbetet edhe për rreth 25 vajza që ndjeknin një kamp veror të krishterë me mbi 700 pjesëmarrës, të cilat rezultojnë ende të zhdukura.

 

Bashkia e Kerrville ka lëshuar paralajmërime të reja për përmbytje, pasi reshjet pritet të vijojnë në disa pjesë të qarkut. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, e ka cilësuar situatën si një katastrofë të jashtëzakonshme dhe ka nënshkruar një deklaratë emergjence për të lehtësuar ndërhyrjet e ekipeve të shpëtimit. Po ashtu, në disa qarqe është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për shkak të dëmeve në infrastrukturë dhe ndërprerjes së komunikimeve./BBC