
Partia Demokratike iu rikthye sot me forcë çështjes hetimore ndaj ish-kryeministrit dhe liderit të opozitës, Sali Berisha, duke theksuar se ndalimi i tij për 333 ditë me masën e “arrest shtëpie” në dosjen e njohur si “Partizani” është kryer pa asnjë provë ligjore.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, denoncoi se kjo dosje përfaqëson një nga shembujt më flagrantë të standardeve të dyfishta në drejtësi, që po përdoret si një instrument politik kundër opozitës.
Ajo përmendi gjithashtu rastin e Jamarbër Malltezit, drejtues i Departamentit të Mjedisit në PD, i cili prej 551 ditësh mbahet në arrest.
Vangjeli nënvizoi se Berisha, ashtu si mijëra qytetarë të tjerë, kishte zhvilluar pronën e tij ligjërisht, duke paguar detyrimet dhe duke kontribuar për komunitetin përmes ndërtimit të institucioneve publike dhe përmirësimit të jetës së familjeve në nevojë.
Sipas saj, dokumentat e fundit të publikuar nga avokati i Berishës tregojnë se drejtësia po vepron me urdhra politikë, duke sjellë shembullin kur SPAK ka nxjerrë urdhrin për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor një ditë përpara se gjykata të merrte vendimin vetë.
“Partia Demokratike nuk do të ndalojë së denoncuari çdo shkelje ligjore dhe çdo akt që përdor drejtësinë si armë politike”, tha Vangjeli, duke garantuar se drejtësia e kapur nuk do të ndalë betejën për llogaridhënie dhe një Shqipëri demokratike, europiane dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.