
Atmosfera festive në lagjen River North të Çikagos u kthye në tragjedi të mërkurën në mbrëmje kur persona të armatosur hapën zjarr nga një automjet në lëvizje, duke lënë pas katër viktima dhe 14 të plagosur. Ngjarja ndodhi jashtë një restoranti ku po mbahej një festë për publikimin e albumit të reperes Mello Buckzz, përcjell AP.
Sipas policisë, 18 persona u qëlluan brenda pak sekondash, ndërsa katër prej tyre — dy burra dhe dy gra — humbën jetën. Disa të tjerë janë në gjendje kritike. Drejtuesi i automjetit dhe personat përgjegjës për të shtënat janë ende në kërkim.
Kreu i policisë së Çikagos, Larry Snelling, e përshkroi ngjarjen si një “akt frikacak” dhe theksoi se nuk bëhej fjalë për një sulm të rastësishëm. Ai tha se janë gjetur gëzhoja nga dy lloje të ndryshme armësh, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Ngjarja tronditi jo vetëm komunitetin artistik dhe publikun pjesëmarrës, por edhe pronarët e restorantit “Artis Restaurant and Lounge”, i njohur si një hapësirë e sigurt për komunitetin Black dhe LGBTQ+. “Çfarë ndodhi mbrëmë e shkatërroi këtë mision në mënyrën më të dhimbshme”, thuhet në një deklaratë të tyre në Instagram.
Kryebashkiaku i Çikagos, Brandon Johnson, shprehu keqardhje për tragjedinë dhe siguroi qytetarët se masat për sigurinë janë shtuar në prag të festimeve të 4 Korrikut. “Ne nuk do të lejojmë që kjo ngjarje të na përcaktojë si qytet”, tha ai.
Kjo ngjarje ndodhi në një vend ku në vitin 2012 një tjetër sulm me armë shkaktoi një të vdekur dhe tre të plagosur, duke çuar në mbylljen e një bari të mëparshëm në të njëjtin vend. Statistikat tregojnë se Çikago përjeton shpesh rritje të dhunës gjatë fundjavave festive, pavarësisht një tendence të përgjithshme në rënie të krimeve me armë në vitet e fundit.