
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat ka theksuar se PD nuk njeh rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit, të cilat, sipas tij, ishin të manipuluara nga qeveria dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
“Partia Demokratike nuk njeh zgjedhjet. Nuk njeh farsën e 11 majit. Ato zgjedhje nuk ishin të lira, nuk ishin të ndershme dhe nuk ishin as të barabarta,” deklaroi Berisha.
Ai akuzoi ashpër kandidatin socialist Ceno Klosi, duke e quajtur “hajdut me çizme” dhe një produkt tipik të narko-regjimit që ka kapur shtetin shqiptar: “Ceno Klosi është hajdut me çizme. Është lubi Balluku. Është produkt i një narko-regjimi që i përdhos zgjedhjet dhe i shkel me këmbë votat e shqiptarëve.”
Berisha u ndal edhe tek mandati i deputetes Zeqine Kote, që sipas tij është një tjetër dëshmi e manipulimit dhe e mungesës së respektit për qytetarët: “Për këtë narko-regjim, mandatet janë letra pa vlerë. Ata i japin mandatin kujt t’u dojë qejfi, pa pyetur fare për vullnetin e popullit. I duhej Zeqineja dhe e futën në Parlament. Qytetarët votuan për zonjën tjetër, por ajo nuk hyri në Kuvend. E kthyen te Zegjineja dhe dolën lakuriq para botës.”
Duke e cilësuar qeverinë si një regjim të paligjshëm dhe të korruptuar, Berisha paralajmëroi se Partia Demokratike do të vijojë të denoncojë me fakte dhe prova çdo shkelje të ligjit dhe çdo përpjekje për të shtypur zërin e qytetarëve.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të qytetarëve, do të vazhdojmë të themi të vërtetën dhe të mos pranojmë kurrë një pushtet të dalë nga manipulimi dhe blerja e votës,” tha ai.