Vendosni fjalën kyçe....

20-vjeçari sulmon udhëtarët në tren, katër të plagosur në Gjermani


Një 20-vjeçar plagosi me thikë katër udhëtarë të enjten në një tren me shpejtësi të lartë në Gjermaninë jugore, rreth 70 kilometra nga kufiri austriak, përpara se të arrestohej, tha policia.

Gazeta gjermane Bild raportoi se autori  ishte një 20-vjeçar sirian. Treni ICE 91 po transportonte rreth 500 udhëtarë nga Hamburgu në Gjermaninë veriore për në kryeqytetin austriak, Vjenë. Ai u arrestua dhe linja hekurudhore u mbyll, tha një deklaratë e policisë, shkruan Ynet.

Sulmi ndaj trenit në Bavari vjen në një kohë kur siguria në Gjermani është në gatishmëri të lartë. Gjermania dhe vende të tjera në kontinent janë goditur nga një seri sulmesh terroriste muajt e fundit, kryesisht përmes përplasjeve me makina dhe goditjeve me thikë.

Në një nga sulmet më serioze, shkurtin e kaluar, një emigrant 24-vjeçar nga Afganistani, kërkesa e të cilit për azil u refuzua, drejtoi një makinë drejt një turme protestuesish në Mynih, duke shtypur dhe vrarë një nënë dhe vajzën e saj të mitur, dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.