Vendosni fjalën kyçe....

Rusia sulmon me artileri një spital në jug të Ukrainës



Një sulm me artileri nga forcat ruse goditi një spital në qytetin jugor të Ukrainës, Herson, duke shkaktuar shkatërrimin e institucionit mjekësor dhe plagosjen e disa civilëve, sipas zyrtarëve rajonalë.

Guvernatori i Hersonit, Oleksandr Prokudin, njoftoi të mërkurën se pesë pacientë dhe tre infermiere u plagosën kur ndërtesa u godit gjatë natës. Mes të plagosurve ishte një infermiere 44-vjeçare, e cila ka pësuar lëndime të rënda dhe ndodhet aktualisht në spital, ashtu si edhe katër pacientët e tjerë. Të tjerët morën ndihmë mjekësore dhe u liruan nga spitali pas trajtimit, përcjell Radio Evropa e Lirë.

Sulmi ndaj spitalit ishte pjesë e një ofensivë më të gjerë ruse kundër infrastrukturës civile në rajonin e Hersonit gjatë 24 orëve të fundit. Prokudin tha se lagjet e banuara, përfshirë disa ndërtesa shumëkatëshe dhe 11 shtëpi private, u dëmtuan. Po ashtu, një biznes, një autobus, disa makina dhe një strukturë bujqësore morën dëme të konsiderueshme. Dhjetë persona raportohet se janë plagosur nga këto sulme.

Sulme të tjera janë regjistruar gjithashtu në fshatin Antonivka pranë Hersonit dhe në Nikopol, në rajonin e Dnipropetrovskut. Pavarësisht mohimeve të përsëritura nga Moska, që thonë se infrastruktura civile nuk është objektiv i forcave ruse, artileria, dronët dhe raketat vazhdojnë të godasin objekte civile në mbarë Ukrainën.

Këto sulme janë dënuar nga autoritetet ukrainase dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat i konsiderojnë si krime të qëllimshme dhe sistematike të luftës.

Nga ana tjetër, ushtria ukrainase ka intensifikuar sulmet brenda territorit rus, përpjekje për të ndaluar furnizimet e forcave ruse. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se sulmoi një rafineri nafte në rajonin e Saratovit në Rusinë jugore. Rafineria, e cila përdoret për prodhimin e karburantit për njësitë ushtarake ruse, u godit nga Inteligjenca e Mbrojtjes së Ukrainës (HUR) në bashkëpunim me njësi të tjera, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe zjarre.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi gjithashtu se forcat e saj të mbrojtjes ajrore shkatërruan 60 dronë ukrainas gjatë natës në disa rajone të vendit.