Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon rinumërimi në Fier/ Zegjine Çaushi humbet mandatin, Maldrita Bardho fiton me 10 vota më shumë


Rinumërimi i qarkut të Fierit, prodhoi surprizë me hapjen e kutive të fundit, duke nxjerrë jashtë Kuvendit kandidaten socialiste Zegjine Çaushi.

Rinumërimi i 586 kutive të Fierit nuk prodhoi asnjë ndryshim në raport me mandatet mes partive, por kandidatja Maldrita Bardho i mori Çaushit mandatin në momentin e fundit.

Çaushi e humbi mandatin për vetëm 10 vota. Nga rinumërimi, Zegjine Çaushi humbi 48 vota, ndërsa Maldrita Bardhos iu shtuan 26 vota, lëvizje këto që e ndihmuan të përmbyste rezultatin.

 

Votat për partitë

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, i Adriatik Lapajt, nuk ia doli dot të fitojë mandatin e deputetit, të cilin synonte t’ia merrte Partisë Socialiste.

Kjo e fundit e forcoi pozitën e saj duke iu shtuar 30 vota plus nga rinumërimi. Ndërkohë, koalicionit të Lapjat iu zbritën 8 vota nga rinumërimi, i cili mund t’ia merrte mandatin PS-së vetëm nëse i shtoheshin 519 vota nga rinumërimi.

Ndërkohë, Partia Demokratike dhe në këtë qark kryesoi me numrin e votave të pamerituar, së cilës nha rinumërimi iu zbritën 147 vota.

Po ashtu, Lëvizjes Bashkë i janë zbritur 12 vota, Koalicionit Djathtas për Zhvillim dhe Partisë Mundësia i zbriten nga 3 vota. Ndërsa PSD-së së Tom Doshit i shtohen 8 vota dhe 3 vota i shtohen Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës.

 

Rezultatet e rinumërimit për Fierin

Lëvizja më e madhe e votave është bërë te kandidatët, teksa u mbyll edhe rinumërimi në këtë proces.

Te socialistët, Ceno Klosi rezulton me numrin më të lartë të votave të pamerituara, me 830 deri më tani, të cilat i zbriten nga rezultati fillestar.

Kandidatit tjetër Klevis Jahaj i shtohen 498 vota që i janë hequr nga numërimi i parë.

Në PD, edhe pse 4 deputetët e dalë janë të listës së mbyllur, janë evidentuar humbje të konsiderueshme. Silva Hasaj është kandidatja me më shumë vota të pamerituara, 671 vota, ndjekur nga Gentian Çela me 192 vota.