Vendosni fjalën kyçe....

Abuzimi seksual i 12-vjeçares nga babai, Avokati i Popullit: Nevojitet reflektim i thellë dhe forcim i mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve


Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar pas ngjarjes tronditëse në Patos, ku një 12-vjeçare është abuzuar seksualisht për vite me radhë nga i ati.

 Në një deklaratë publike, Avokati i Popullit shpreh shqetësim të thellë për rastin dhe njofton nisjen e një hetimi administrativ gjithëpërfshirës për zbardhjen e përgjegjësive institucionale dhe adresimin e mangësive sistemike.

“Ngjarje të tilla kërkojnë jo vetëm dënimin e autorëve, por edhe një reflektim të thellë institucional dhe shoqëror për të forcuar mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve, veçanërisht të atyre që ndodhen në situata të vështira sociale apo familjare,” – thuhet në reagimin zyrtar.

Avokati i Popullit ka marrë me iniciativë shqyrtimin e rastit, bazuar në parimet e legjislacionit shqiptar dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur. Hetimi administrativ do të përqendrohet në evidentimin e çdo veprimi ose mosveprimi nga ana e institucioneve shtetërore që mund të ketë ndikuar në mosparandalimin e abuzimit.

Ndër të tjera, institucioni apelon me forcë për ruajtjen e privatësisë dhe dinjitetit të fëmijës viktimë, duke dënuar ekspozimin e panevojshëm të detajeve të ngjarjes në media apo rrjete sociale, të cilat mund të shkaktojnë trauma të mëtejshme.

Avokati i Popullit thekson se do të ndjekë me vëmendje e seriozitet ecurinë e hetimeve dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e mëtejshme të së miturës, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse.

 

Reagimi i plotë:

Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen e rëndë të abuzimit seksual ndaj një vajze të mitur në qytetin e Fierit.

Ngjarje të tilla kërkojnë jo vetëm dënimin e autorëve, por edhe një reflektim të thellë institucional dhe shoqëror për të forcuar mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve, veçanërisht të atyre që ndodhen në situata të vështira sociale apo familjare.

Avokati i Popullit ka marrë me iniciativë shqyrtimin e këtij rasti dhe ka nisur një hetim administrativ gjithëpërfshirës, i mbështetur në parimet e legjislacionit shqiptar dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, me qëllim evidentimin e veprimeve apo mosveprimeve nga institucionet përgjegjëse që mund të kenë ndikuar në zhvillimin ose mosparandalimin e kësaj ngjarjeje. Ky proces do të synojë të analizojë funksionimin e zinxhirit institucional të mbrojtjes së fëmijëve dhe të adresojë çdo mangësi sistemike.

Avokati i Popullit apelon me forcë për ruajtjen e privatësisë dhe dinjitetit të fëmijës viktimë. Ekspozimi masiv i detajeve të ngjarjes, qoftë në media apo rrjete sociale, është një dëm i dyfishtë për të miturën dhe cenon rëndë të drejtën e saj për mbrojtje nga traumat e mëtejshme.

Institucioni i Avokatit të Popullit do të ndjekë me vëmendje e seriozitet ecurinë e hetimeve dhe masat që do të ndërmerren për mbrojtjen e mëtejshme të të miturës, duke bashkëpunuar me autoritetet përkatëse në çdo hap të këtij procesi.