Vendosni fjalën kyçe....

Trump sugjeron që DOGE të shqyrtojë subvencionet e fituara nga kompanitë e Musk


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sugjeroi që departamenti i efikasitetit qeveritar (DOGE), që para pak kohësh drejtohej nga Elon Musk, duhet të rishikojë subvencionet që kompanitë e shefit të Teslas, kanë marrë në mënyrë që të kursejnë para, duke rindezur një luftë fjalësh mes dyshes.

Komentet e Trump të martën erdhën pasi Musk ripërtëriu kritikat e tij ndaj projektligjit gjithëpërfshirës për uljen e taksave dhe shpenzimet, duke u zotuar të luftojë ligjvënësit që e mbështetën atë pasi bënë fushatë për kufizimin e shpenzimeve qeveritare, shkruan Reuters.

Aksionet e Teslas ranë me gati 5% pas lajmit. Grindja me Trump mund të krijojë pengesa për Teslan dhe pjesën tjetër të perandorisë së biznesit të Musk.

Departamenti i Transportit i SHBA-së rregullon projektimin e automjeteve dhe do luante një rol kyç në vendimin nëse Tesla mund të prodhojë në masë robotaksinë pa pedale dhe timon, ndërsa kompania e raketave SpaceX e Musk ka rreth 22 miliardë dollarë në kontrata federale.

“Elon mund të marrë më shumë subvencione se çdo qenie njerëzore në histori, deri tani, dhe pa subvencione, Elon ndoshta do të duhej të mbyllte dyqanin dhe të kthehej në shtëpi në Afrikën e Jugut. Nuk do ketë më lëshime raketash, satelitësh apo prodhim makinash elektrike, dhe vendi ynë do kursente shumë para kështu. Ndoshta duhet ta bëjmë DOGE-in ta shqyrtojë mirë dhe me kujdes këtë? PARA TË MËDHA PËR T’U KURSYER!!!”, tha Trump në një postim në Truth Social, duke iu referuar Departamentit Federal të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE).