Vendosni fjalën kyçe....

Senati Amerikan miraton me vështirësi projektligjin e madh të Trump për taksat dhe shpenzimet


Pas orësh të tëra ngërçi, republikanët në Senatin e SHBA e kanë miratuar me vështirësi projektligjin gjigant të Donald Trump për taksat dhe shpenzimet, duke i kaluar një prej pengesave kryesore legjislative.

Ligji i quajtur One Big Beautiful Bill Act (Projektligji i Madh dhe i Bukur) kaloi falë votës vendimtare të zëvendëspresidentit JD Vance, pas më shumë se 24 orësh debat intensiv.

Projektligji tani kthehet në Dhomën e Përfaqësuesve, ku përballet ende me rezistencë. Një version i mëparshëm ishte miratuar në këtë dhomë me vetëm një votë diferencë nga republikanët.

Trump u kishte caktuar ligjvënësve afatin e 4 korrikut për t’i dërguar versionin përfundimtar për ta dekretuar si ligj.

Por të martën në mëngjes, ai pranoi se do të jetë “shumë e vështirë” për të respektuar atë afat, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi deficitin buxhetor, programet sociale dhe nivelet e shpenzimeve, shkruan BBC.

Megjithë përpjekjet për të bashkuar radhët, lideri i shumicës republikane në Senat, John Thune, humbi mbështetjen e tre senatorëve nga partia e tij: Susan Collins (Maine), Thom Tillis (Karolina e Veriut) dhe Rand Paul (Kentucky). Të tre u bashkuan me demokratët në kundërshtimin ndaj projektligjit.

U arrit gjithsesi të bindet senatorja e Alaskës, Lisa Murkowski, që më parë kishte shprehur skepticizëm, për ta mbështetur projektligjin.

Kjo bëri që rezultati përfundimtar të ishte 50 me 50, dhe kërkoi ndërhyrjen e JD Vance për ta zhbllokuar situatën me votën e tij vendimtare.

Projektligji, i konsideruar gur themeli i mandatit të dytë të Trump, synon të bëjë të përhershme uljet e mëdha të taksave që u miratuan përkohësisht gjatë mandatit të tij të parë.

Për të kompensuar humbjet e pritshme të të ardhurave, republikanët propozojnë shkurtime në një sërë programesh, përfshirë subvencionet për ushqime dhe sigurimet shëndetësore për amerikanët me të ardhura të ulëta.

Votimi përfundoi të martën në mëngjes, duke mbyllur një seancë maratonë në Capitol Hill.

Demokratët përpiqeshin ta vononin projektligjin me pengesa procedurale, duke përfshirë leximin me zë të lartë të të gjithë 940 faqeve të ligjit dhe debate të gjata mbi amendamentet, në atë që njihet si “vote-a-rama”.

 

Çfarë përmban projektligji ‘i madh dhe i bukur’ i Trump?

Tani është në dorë të republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve që të miratojnë ndryshimet e bëra nga Senati, përpara se presidenti ta firmosë si ligj.

Por e ardhmja e tij mbetet e paqartë. Nga njëra anë, republikanët konservatorë kanë shprehur shqetësim se versioni i Senatit mund t’i shtojë mbi 650 miliardë dollarë deficitit buxhetor çdo vit — një shifër që i referohet diferencës midis asaj që shteti shpenzon dhe të ardhurave që mbledh. “Kjo nuk është përgjegjësi fiskale. Nuk është ajo për të cilën u ramë dakord,” shkroi të hënën në rrjetet sociale grupi i djathtë House Freedom Caucus.

Ndërkohë, disa republikanë të tjerë në Dhomën e Përfaqësuesve janë të shqetësuar se projektligji i Senatit shkurton më shumë se ç’kishin pranuar ata fondet për Medicaid — programi shtetëror për sigurim shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta.

Demokratët në të dy dhomat e Kongresit gjithashtu kanë kritikuar prerjet e propozuara në programet sociale dhe mirëqenien.

 

Musk i kundërvihet projektligjit

Një ndër kritikët më të fortë të planit është miliarderi i teknologjisë, Elon Musk, i cili ndihmoi Trump të fitojë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit të kaluar dhe shërbeu si “car i kursimeve” në administratë.

Musk tani është angazhuar për të minuar mundësitë që projektligji të miratohet, madje ka kërcënuar se do të krijojë një parti të re politike nëse ai kalon në Kongres.

Të hënën, ai u zotua se do të mbështesë kundërkandidatët e çdo republikani që votoi për projektligjin.

 “Çdo anëtar i Kongresit që premtoi se do të ulte shpenzimet e qeverisë dhe më pas votoi për rritjen më të madhe të borxhit në histori duhet të ndiejë turp!” shkroi ai në X.

Reduktimet e thella të mbështetjes shtetërore për energjinë e rinovueshme dhe automjetet elektrike mund të godasin drejtpërdrejt interesat financiare të Tesla-s, kompania ku Musk ka ndërtuar pjesën më të madhe të pasurisë së tij.