Vendosni fjalën kyçe....

Berisha në OSBE: Shqipëria është kthyer në narkodiktaturë, kërkojmë ndihmën tuaj për zgjedhje të lira


Në fjalën e tij përpara Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Porto të Portugalisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Shqipëria ndodhet nën një “narkodiktaturë” dhe u bëri thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të ndihmojnë shqiptarët të votojnë të lirë.

Ai denoncoi procesin e zgjedhjeve të 11 majit si një farsë të paralajmëruar dhe akuzoi qeverinë e Edi Ramës për kapje të shtetit dhe lidhje me kartelet e drogës.

Në fjalën e tij të plotë, Berisha theksoi: “Shqipëria është i pari dhe i vetmi narkoshtet në Europë. Europa ka njohur shumë lloje diktaturash, por kurrë më parë një narkodiktaturë. Kjo është një diktaturë e një natyre tjetër. Edhe në këtë diktaturë të gjitha pushtetet përqendrohen në dorën e vetëm një personi, të Kryeministrit.”

Berisha e cilësoi situatën në vend si jashtëzakonisht të rëndë, duke pohuar se: “Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një narkodiktaturë. Për këdo që është i interesuar: ai këtë e ka bërë haptas dhe pa fshehur asgjë.”

Ai përmendi edhe vendimin e kryeministrit për të lejuar, pak javë para zgjedhjeve, mbjelljen e 29 mijë hektarëve me kanabis, duke e quajtur këtë një hap të qëllimshëm për të financuar fushatën zgjedhore dhe për të kontrolluar votën.

Sipas Berishës, kartelet e drogës në Shqipëri “janë direkt të lidhura me qeverinë dhe janë shumë të fuqishme: karteli Troplini/Poja kontrollon portin e Durrësit… Karteli Çela i Elbasanit kontrollon autostradën e trafikimit të heroinës.”

Ai akuzoi se këto kartele “emërojnë ministra, gjyqtarë, prokurorë, shefa policie, deputetë.”

Duke përshkruar zgjedhjet e 11 majit, Berisha tha: “Në këto zgjedhje, është e vërtetë që kishte kandidatë të forcave të ndryshme politike. Por nga ana tjetër, të gjitha potencialet dhe burimet e shtetit u përdorën si instrument elektoral nga partia-shtet.” Ai shtoi se “çdo nëpunës civil ishte i detyruar të sillte 20 votues të tjerë që të votonin për Partinë Socialiste në pushtet.”

Berisha akuzoi Ramën se ka arrestuar pa akuza penale krerët kryesorë të opozitës, përfshirë vetë atë dhe Ilir Metën, si dhe se ka ndjekur penalisht Fatmir Mediun dhe funksionarë të tjerë opozitarë: “Në vitin elektoral, narkodiktatori Edi Rama… vendosi të arrestojë dy liderët kryesorë të opozitës dhe të hapë proces penal ndaj kryetarit të forcës së tretë opozitare.”

Lidhur me ditën e votimeve, Berisha deklaroi se kartelet kanë diktuar rezultatin për 28 mandate parlamentare dhe se “disa prej këtyre deputetëve ishin më të votuarit. Ata madje morën më shumë vota se vetë Kryetari i Partisë Socialiste.”

Ai njoftoi gjithashtu se opozita po analizon pamjet zyrtare nga qendrat e votimit dhe po përgatit video që dokumentojnë shkeljet: “Kemi vërejtur në shumë e shumë raste trenin bullgar (karusel), votim në grup, komisionerë që votojnë për zgjedhësit.”

Berisha u bëri thirrje përfaqësuesve të OSBE-së që të reagojnë: “Pa një qeveri teknike, shqiptarët nuk do të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Ai kërkoi që OSBE të mbështesë raportin paraprak të ODIHR dhe të ushtrojë presion që rekomandimet e vjetra të këtij institucioni të zbatohen: “Iu bëj thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndjekin rekomandimet e shkruara në raportet e fundit të OSBE-ODIHR, që prej vitesh kanë mbetur të pa zbatuara për shkak të mungesës së vullnetit të narkoqeverisë.”

Në përfundim, ai u shpreh: “Kam vetëm një kërkesë: të ndihmoni që Kombi im të votojë i lirë.”