Vendosni fjalën kyçe....

Hotelet në Tiranë rritën çmimet prej finales së “Conference League”, Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron me gjoba


Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri ka reaguar lidhur me rritjen e çmimeve të hoteleve për datat 23-25 maj, për shkak të mbajtjes në Tiranë të finales së Conference League.

Në një njoftim për mediet, Autoriteti i Konkurencës thotë se ka marrë inforjmacione shqetësuese lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve në këto dy data të hoteleve në Tiranë.

Autoriteti i Konkurrencës iu kërkon hotelerive të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme dhe të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen në minutën e fundit me çmime disa herë më të larta. Në të kundërt do të ndëshkohen me gjoba.

NJOFTIMI I PLOTË

Nisur nga disa informacione shqetësuese në media në lidhje me rritjen e menjëhershme të çmimeve nga ana e ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e hotelerisë apo akomodime të tjera të ngjashme në qytetin e Tiranës, në kuadër të ndeshjes finale të Ligës së Konferencës midis skuadrave Roma-Feyenoord, e cila do të zhvillohet në Tiranë në datën 25 maj 2022, Autoriteti i Konkurrencës vendosi monitorimin e këtij tregu.
Nga monitorimi i platformave online që ofrojnë rezervime ambientesh fjetje si dhe nga monitorime në terren u identifikuan çmime tepër të larta për datat 23-25 maj 2022, krahasuar me periudha të tjera të vitit.
Autoriteti i Konkurrencës iu kërkon ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme në qytetin e Tiranës:
–          të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme, të orientuara drejt kostos;
–          të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen në minutën e fundit me çmime disa herë më të larta.
Autoriteti i Konkurrencës iu bën me dije ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e  fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme  në qytetin e Tiranës që, nëse në përfundim të hetimit rezulton se rritja në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar e çmimit të shërbimit të fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme do të gjendet në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, shkelësit e ligjit do të ndëshkohen me gjoba deri ne 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës.