
Në Konferencën Kombëtare “Dimensioni i integritetit në funksionin e magjistratit”, Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Prof. Dr. Sokol Sadushi, ngriti shqetësimin për një fenomen që po shfaqet në sistemin e drejtësisë shqiptare: rënien në një “rehati konformiste”.
Ai theksoi se sfida më e madhe e momentit nuk është më reforma institucionale, por mungesa e guximit moral dhe frika për të vepruar ndryshe.
Në fjalën e tij, Sadushi theksoi se drejtësia që nuk vepron në kohë është po aq e rrezikshme sa drejtësia që ndikohet: “Nuk është fjala për vendime të padrejta, por për vendime që nuk merren në kohën e duhur. Dhe ky është, ndoshta, rreziku më i madh i kohëve tona: një drejtësia që nuk vepron në kohë; një drejtësi që pret.”
Ai e përshkroi konformizmin si një nga dukuritë më të rrezikshme, të heshtura dhe të rafinuara të sistemit: “Konformizmi manifestohet në forma të ndryshme: në hezitimin për të marrë vendime që mund të prishin qetësinë institucionale; në dëshirën për të mos u ekspozuar nën frikën e përballjes me kritikë apo ndëshkime karriere; në pranimin pasiv të sjelljeve jo etike të kolegëve.”
Sipas tij, frika, heshtja dhe mosveprimi po zëvendësojnë presionet klasike mbi sistemin e drejtësisë dhe po e paralizojnë atë.
Ai theksoi se nuk mund të ketë drejtësi funksionale pa guxim moral dhe integritet individual: “Magjistrati me integritet është ai që zgjedh të mos e shkel ligjin, por ta zbatojë atë; ai që përballë një opinioni të zhurmshëm publik, qëndron i palëkundur në bindjen se drejtësia nuk është çështje shumice, por çështje dinjiteti personal dhe institucional.”
Sadushi tha se presionet mbi magjistratët nuk vijnë gjithmonë në formë kërcënimesh të drejtpërdrejta, por ndonjëherë shfaqen përmes rehatisë institucionale, afrimitetit apo ndjenjës së dorëzimit: “Presioni nuk vjen domosdoshmërisht me kërcënim. Ai shfaqet me oferta, me afrimitet, me rehati institucionale, ose, më rrezikshëm, përmes ndjesisë së dorëzimit, me shprehje të tilla si: ‘kjo nuk është puna ime’, ‘nuk ia vlen’, ‘kjo punë nuk bëhet’.”
Ai e përshkroi integritetin si një akt rebelimi ndaj konformizmit dhe indiferencës, dhe jo thjesht si një virtyt formal: “Integriteti nuk është vetëm mospërfshirje në korrupsion. Është koherencë mes ligjit dhe ndërgjegjes.”
Kreu i Gjykatës së Lartë bëri thirrje që integriteti të mos trajtohet më si ideal abstrakt, por të bëhet “shtylla e një drejtësie që nuk hesht e nuk dorëzohet”.
Ai vuri në dukje se çdo vendim i marrë nga një magjistrat përcjell një mesazh për qytetarin, ndaj: “Të jesh me integritet do të thotë të mos jesh i pandjeshëm ndaj efektit që çdo vendim ka në publik.”
Në përfundim të fjalës së tij, Sadushi kërkoi më shumë guxim, vetëdije dhe ndërgjegje nga trupa gjyqësore, duke theksuar se drejtësia duhet të përballet me presionet dhe sfidat me vendosmëri dhe jo me dorëzim.
Ai u shpreh se legjitimiteti i drejtësisë nuk fitohet vetëm me ndërtimin e institucioneve, por me ndërtimin e karakterit të atyre që e përfaqësojnë atë.