
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Konferencën e IV Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (FFD4), e cila po mbahet në Sevilja të Spanjës. Në këtë forum të rëndësishëm, Kreu i Shtetit theksoi përkushtimin e Shqipërisë për zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe rolin që financimi për zhvillim luan në sigurimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj nënvizoi se Shqipëria e sheh financimin për zhvillim si një instrument për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve dhe për të garantuar drejtësinë sociale. Ai theksoi investimet në zhvillimin e aftësive të të rinjve, zgjerimin e mbrojtjes sociale, përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, si dhe angazhimin për reforma fiskale dhe transparencë në sistemin tatimor.
Begaj theksoi se procesi i financimit për zhvillim nuk është thjesht një agjendë teknike, por një angazhim strategjik. Ai rikujtoi se Shqipëria ka shënuar përparime në forcimin e qeverisjes demokratike dhe llogaridhënies, si dhe ka vendosur në qendër të strategjive të saj sektorë si arsimi, shëndetësia, infrastruktura digjitale dhe energjia e rinovueshme.
Presidenti i Republikës u shpreh se sfidat globale kërkojnë veprime të përbashkëta dhe sisteme financiare ndërkombëtare më përfshirëse dhe më efikase. Ai bëri thirrje për një arkitekturë të reformuar financiare globale që të jetë e aftë të përballojë krizat aktuale, duke shtuar se asnjë vend nuk mund ta përballojë i vetëm barrën e zhvillimit.
Në përfundim, Kreu i Shtetit vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, si një mjet për të nxitur financimin për zhvillim dhe për të përgatitur vendet për integrimin në Bashkimin Evropian.
Gjatë qëndrimit në Sevilja, Presidenti Begaj zhvilloi takime me Mbretin e Spanjës, Kryeministrin e këtij vendi, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe liderë të tjerë botërorë, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin e qëndrueshëm.