
Bashkimi Evropian është i gatshëm të pranojë një marrëveshje tregtare me SHBA-në që përfshin një tarifë universale prej 10% për shumë nga eksportet e bllokut, por dëshiron që SHBA-të të zotohen për tarifa më të ulëta në sektorë kyç si farmaceutika, alkooli, gjysmëpërçuesit dhe avionët tregtarë.
BE-ja po i shtyn gjithashtu SHBA-të për kuota dhe përjashtime për të ulur në mënyrë efektive tarifën prej 25% të Uashingtonit për automobilat dhe pjesët e makinave, si dhe tarifën e saj prej 50% për çelikun dhe aluminin, sipas njerëzve të njohur me çështjen.
Komisioni Evropian, i cili merret me çështjet tregtare për BE-në, e sheh këtë marrëveshje si paksa favorizuese për SHBA-në, por prapëseprapë diçka të cilën mund ta pranojë, thanë njerëzit, të cilët folën në kusht anonimiteti.
BE-ja ka afat deri më 9 korrik për të arritur një marrëveshje tregtare me Donald Trump përpara se tarifat për pothuajse të gjitha eksportet e bllokut në SHBA të rriten në 50%. Presidenti i SHBA-së ka vendosur tarifa për pothuajse të gjithë partnerët e saj tregtarë, duke thënë se donte të rikthente prodhimin vendas dhe të ndalonte vendet e tjera të përfitonin nga SHBA-ja.
Një zëdhënës i komisionit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
BE-ja dhe SHBA-ja janë gjithnjë e më të bindura se një marrëveshje e përkohshme mund të arrihet deri më 9 korrik për të lejuar që negociatat të vijojnë përtej afatit të caktuar, raportoi më parë Bloomberg. Çdo marrëveshje do mbulonte gjithashtu barrierat tarifore dhe jo-tarifore, blerjet e mallrave kryesore amerikane dhe do përshkruante fusha shtesë për bashkëpunim, sipas burimeve.
Shefi i tregtisë së BE-së, Maros Sefcovic, do udhëheqë një delegacion në Uashington këtë javë për të provuar të çojë përpara bisedimet, thanë burimet. Blloku vijon të besojë se një marrëveshje në parim mbetet skenari më i mirë, por zyrtarët nuk kanë qenë në gjendje të sqarojnë se për sa kohë do zgjasin marrëveshje të tilla të përkohshme ndërsa negociatat vijojnë.
Komisioni gjithashtu dëshiron të sigurohet që tarifat e tanishme sektoriale që SHBA-ja ka në fuqi – të tilla si për makinat dhe metalet – si dhe tarifat e ardhshme që Uashingtoni po planifikon, të adresohen paraprakisht, thanë dy nga burimet.
BE-ja po kërkon të adresojë barrierat jo-tarifore kryesisht përmes axhendës së saj të thjeshtimit dhe ka propozuar eksplorimin e blerjeve strategjike në disa fusha, të tilla si gazi natyror i lëngshëm dhe teknologjitë e inteligjencës artificiale. Blloku është gjithashtu i hapur për të bashkëpunuar me SHBA-në mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë ekonomike.
BE-ja vlerëson se detyrimet e SHBA-së tani mbulojnë 380 miliardë euro, ose rreth 70%, të eksporteve të saj në SHBA.
Komisioni u tha shteteve anëtare të hënën se blloku kishte marrë një propozim nga SHBA-ja që mbulonte tarifat, barrierat tregtare jo-tarifore dhe fushat e bashkëpunimit strategjik, thanë burimet. Hollësitë specifike mbi ofertën amerikane, siç janë normat e mundshme të tarifave, nuk u ndanë me shtetet anëtare, shtuan burimet.
Zyrtarët përcaktuan katër skenarë të mundshëm përpara afatit të javës së ardhshme: një marrëveshje me një nivel të pranueshëm asimetrie; një ofertë e paekuilibruar e SHBA-së që BE-ja nuk mund ta pranonte; zgjatja e afatit për të lejuar vijimin e negociatave; ose Trump tërhiqet nga bisedimet dhe rrit tarifat, thanë burimet.
Skenari i fundit ka shumë të ngjarë të shohë BE-në të hakmerret me të gjitha opsionet e saj, thanë burimet.
Paralelisht me negociatat, blloku vijon të përgatisë kundërmasa nëse bisedimet japin një rezultat të pakënaqshëm.
BE-ja ka miratuar tarifa për 21 miliardë euro mallra amerikane që mund të zbatohen shpejt në përgjigje të taksave të metaleve të Trump. Ato synojnë shtetet amerikane politikisht të ndjeshme dhe përfshijnë produkte të tilla si soja nga Luiziana si dhe prodhime bujqësore, shpendë dhe motoçikleta.
Blloku ka përgatitur gjithashtu një listë shtesë tarifash për produktet amerikane me vlerë 95 miliardë euro në përgjigje të të ashtuquajturave taksa të mdërsjella dhe detyrimeve të automobilave të Trump. Ato do synojnë mallrat industriale, duke përfshirë avionët Boeing, makinat e prodhuara në SHBA dhe burbonin. BE-ja po këshillohet gjithashtu me shtetet anëtare për të identifikuar fushat strategjike ku SHBA-të mbështeten te blloku, si dhe masat e mundshme që shkojnë përtej tarifave, të tilla si kontrollet e eksportit dhe kufizimet në kontratat e prokurimit.
BE-ja, e cila ka kërkuar një marrëveshje të dobishme në mënyrë të ndërsjellë, do vlerësojë çdo rezultat përfundimtar dhe në atë fazë do të vendosë se çfarë niveli asimetrie është e gatshme të pranojë, raportoi më parë Bloomberg.