Vendosni fjalën kyçe....

Shfrytëzoi hapësirën publike si parking privat, procedohet 44-vjeçari e kreu i Policisë Bashkiake Vlorë


Drejtori i Policisë Bashkiake të Vlorës Emiljano Islamaj dhe një 44-vjeçar me iniciale R.F. janë proceduar penalisht.

44-vjeçari akuzohet se shfrytëzoi një hapësirë publike si parkim privat me pagesë, ndërsa kreu i Policisë Bashkiake se e lejoi.

Zona në fjalë e zënë në mënyrë të paligjshme ishte pranë ish-shkollës së Marinës.

“Policia e Vlorës ka ndërhyrë për të liruar një hapësirë publike të zënë në mënyrë të paligjshme në zonën e ish-“Shkollës së Marinës”, në lagjen “10 Korriku”, e cila ishte kthyer në parkim privat me trarë dhe tabela, kundrejt pagesës. Si rezultat i kontrolleve në terren, u procedua penalisht shtetasi R. F. (M.), 44 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Gjithashtu, u procedua edhe drejtori i Policisë Bashkiake, E. I., 30 vjeç, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi dyshohet se ka lejuar vijimin e këtij aktiviteti të paligjshëm pa marrë masa. Hapësira u lirua me ndërhyrjen e karrotrecëve, ndërsa automjetet e parkuara në mënyrë të paligjshme u larguan. Procedurat janë ndjekur nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake.” – thuhet në njoftim.