
Një pilot ukrainas i një avioni F-16 u vra pasi rrëzoi shtatë objektiva ajrorë gjatë një sulmi ajror masiv rus që përfshiu qindra dronë, raketa lundruese dhe raketa balistike, në një nga natat më të ashpra të sulmeve që nga fillimi i luftës katër vjet më parë.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, piloti qëndroi në kabinë deri në momentin e fundit për ta larguar avionin e dëmtuar nga një zonë e banuar, por nuk arriti të hidhej me parashutë dhe humbi jetën në përplasje.
“Piloti përdori të gjitha armët e avionit të tij dhe rrëzoi shtatë objektiva ajrorë. Teksa shkatërronte të fundit, avioni u dëmtua dhe nisi të humbte lartësi,” thuhej në deklaratën zyrtare, përcjell Reuters.
Ky është avioni i tretë F-16 që humbet Ukraina që nga përdorimi i tyre i parë vitin e kaluar.
Autoritetet ukrainase nuk kanë bërë publike numrin e përgjithshëm të këtyre avionëve që posedojnë, por ato janë kthyer në një shtyllë qendrore të mbrojtjes ajrore të vendit.
Presidenti Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë që të shtojnë mbështetjen ushtarake, veçanërisht në mbrojtjen ajrore.
“Kjo luftë duhet të përfundojë – duhet presion mbi agresorin dhe mbrojtje për popullin,” shkroi ai në platformën X (ish-Twitter).
“Ukraina është e gatshme të blejë sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore dhe ka nevojë për lidership, vullnet politik dhe mbështetje nga SHBA, Evropa dhe të gjithë partnerët tanë.”
Sulm me mbi 500 mjete ajrore – dëme në disa rajone
Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se gjatë natës Rusia lëshoi 477 dronë dhe 60 raketa të llojeve të ndryshme drejt territorit ukrainas.
211 dronë dhe 38 raketa u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, ndërsa 225 dronë të tjerë u neutralizuan nga lufta elektronike ose rezultuan si mjete pa ngarkesë shpërthyese.
Zelensky paralajmëroi se “Moska nuk do të ndalet për sa kohë që ka kapacitetin për të ndërmarrë sulme masive.” Vetëm gjatë javës së kaluar, Rusia ka lëshuar rreth 114 raketa, 1.270 dronë dhe 1.100 bomba fluturuese drejt Ukrainës, tha ai.
Në Kiev, sirenat e sulmeve ajrore detyruan banorët të strehohen në stacionet e metrosë. Tingujt e armëve automatike dhe shpërthimet u dëgjuan në të gjithë kryeqytetin, si edhe në qytetin perëndimor të Lvivit, ku sulmet janë më të rralla. Guvernatori i Lvivit tha se objektivi i sulmit ishte infrastruktura kritike.
Shpërthime u raportuan gjithashtu në rajonet Poltava, Mykolaiv, Dnipropetrovsk, Çerkasi dhe Ivano-Frankivsk. Në rajonin e Çerkasit, 11 persona – përfshirë dy fëmijë – u plagosën nga sulmi, ndërsa tre pallate dhe një kolegj u dëmtuan. Në Ivano-Frankivsk, një grua mbeti e plagosur.
Pamjet e publikuara nga autoritetet tregonin ndërtesa të banimit me mure të nxira dhe dritare të thyer, ndërsa ekipet e shpëtimit ndihmonin në evakuimin e banorëve.
Objekte industriale u goditën në Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk, ndërsa infrastruktura hekurudhore u dëmtua në qytetin Poltava.
Nga ana tjetër, agjencia shtetërore ruse RIA Novosti raportoi se një person u vra nga një dron ukrainas në rajonin e pushtuar të Luhanskut.
Të dyja palët, si Rusia ashtu edhe Ukraina, vazhdojnë të pretendojnë se nuk synojnë objektiva civile, pavarësisht dëmeve të mëdha në infrastrukturë dhe humbjeve të jetëve të pafajshme që rezultojnë nga sulmet.
Pa ndihmë të re nga SHBA
Ukraina e ka theksuar nevojën për më shumë sisteme Patriot, por qeveria e presidentit Donald Trump ende nuk ka miratuar ndihmë të re ushtarake.
Megjithatë, Trump ka thënë se po e shqyrton një kërkesë të Ukrainës për më shumë sisteme mbrojtjeje raketore pas takimit me Zelensky në samitin e fundit të NATO-s.
Situata në Ukrainë vazhdon të përkeqësohet mes mungesës së pajisjeve mbrojtëse dhe përshkallëzimit të sulmeve ruse, ndërsa kërkesat për ndihmë nga Perëndimi bëhen gjithnjë e më të dëshpëruara.