Vendosni fjalën kyçe....

Kurti mbledh partitë politike për konstituimin e Kuvendit, afati përfundimtar 26 korrik


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të shtunën në takim përfaqësuesit e partive kryesore politike, në përpjekje për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit të ri, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në këtë takim, që vjen pas muajsh të tërë përplasjeje mes subjekteve politike, morën pjesë edhe përfaqësues të partive të pakicave, përcjell REL.

Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar, për shkak të mungesës së dakordësisë për kandidatin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për shkak të debatit mbi ndryshimin e mënyrës së votimit nga i hapur në të fshehtë. Ky ngërç institucional ka sjellë reagime të shumta nga shoqëria civile, e cila i ka shtuar presionin klasës politike për të dalë nga bllokada.

Takimi i së shtunës vjen menjëherë pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila detyron deputetët që ta përmbyllin procesin e konstituimit të Kuvendit deri më 26 korrik. Sipas këtij vendimi, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët, hap ky që i hap rrugën formimit të Qeverisë së re.

Megjithatë, vendimi i Kushtetueses është interpretuar ndryshe nga partitë politike. Lëvizja Vetëvendosje e sheh votimin e fshehtë si të lejuar dhe kushtetues, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshëm çdo ndryshim të rendit të ditës apo formës së votimit pa një bazë ligjore të qartë. Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje VV-së që të kërkojë konsensus me grupet e tjera parlamentare, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës si një bazë të vlefshme për të dalë nga kriza.

Nga ana tjetër, profesori i së drejtës dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, deklaroi se vendimi i Gjykatës konfirmon qartë se votimi i fshehtë është jokushtetues dhe se procedura duhet të mbetet siç ka qenë në të gjitha legjislaturat e mëparshme. Sipas tij, çdo devijim nga marrëveshja e 8 prillit apo nga praktikat e deritanishme është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Prej 15 prillit, deputetët kanë zhvilluar 38 seanca pa arritur të konstituojnë Kuvendin, duke lënë institucionet në një situatë të paqartë dhe të paralizuar. Nëse procesi nuk përmbyllet brenda afatit të vendosur nga Kushtetuesja, Kosova rrezikon të hyjë në një krizë të thellë institucionale, me pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin politik dhe funksionimin e shtetit.