
Emisari i SHBA për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet të udhëtojë drejt Kajros në ditët në vijim, në një vizitë që sipas burimeve do të jetë “vendimtare” për përpjekjet drejt një armëpushimi dhe marrëveshjeje për lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës. Lajmi bëhet i ditur nga burime të cituara nga e përditshmja libaneze Al-Akhbar, e afërt me Hezbollah.
Burimet pohojnë se vizita e Witkoff vjen mes sinjaleve pozitive dhe një ndryshimi në tonin e deklaratave izraelite, duke shtuar se prania e emisarit në kryeqytetin egjiptian do të ushtrojë presion mbi Izraelin për të marrë pjesë në negociata.
Disa zyrtarë izraelitë, sipas raportit, kanë nisur komunikimet me ndërmjetësuesit duke treguar “fleksibilitet në disa pika”, përcjell Jerusalem Post.
Një tjetër raund negociatash për Gazën pritet të mbahet në Doha, kryeqyteti i Katarit. Sipas burimeve egjiptiane të cituara nga televizioni Al-Hadath, SHBA po përgatitet të paraqesë një plan për përfundimin e luftës brenda pak ditësh dhe po i kërkon Izraelit që të pranojë një armëpushim prej dy javësh.
SHBA po bën presion mbi qeverinë e Benjamin Netanyahut për të pranuar një marrëveshje armëpushimi afatgjatë. Ndërkohë, sipas raportimeve, vonesa nga ana e Izraelit lidhet ose me përçarje të brendshme politike, ose me një përpjekje për të ushtruar më shumë presion mbi Hamasin përmes ofensivave ushtarake.
Ministria e Jashtme e Katarit gjithashtu konfirmoi se ekziston një mundësi reale për arritjen e një armëpushimi.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një marrëveshje armëpushimi “është e mundur” dhe mund të arrihet javën e ardhshme.