Vendosni fjalën kyçe....

Begaj vizitë komuniteteve arbëreshe në Kalabri: Ju jeni rojtarët e shpirtit tonë identitar


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në disa komuna arbëreshe në rajonin e Kalabrisë, ku u takua me komunitetet e Andalit, Marceduzës, Cervicatit, Mongrassanos, Plataccit, Santa Caterina Albanases, Frascinetos, San Demetrio Corones, San Benedetto Ullanos, San Cosmo Albaneses, Castroregios dhe Cerzetos.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj e quajti komunitetin arbëresh një urë të gjallë që lidh Shqipërinë me Italinë, të kaluarën me të ardhmen, identitetin me integrimin.

Këtu gjithçka flet për një lidhje të përjetshme… dy kombe me rrënjë e ideale të përbashkëta dhe një histori dashurie, miqësie e vëllazërie,” u shpreh Presidenti.

Ai vuri theksin te ruajtja e gjuhës dhe traditës arbëreshe përmes trashëgimisë brez pas brezi dhe theksoi se çdo fjalë në arbërisht është një ringjallje e identitetit kombëtar.

Presidenti përmendi figura të rëndësishme arbëreshe si poeti Zef Serembe dhe heroi Terenc Toçi, duke i cilësuar si dëshmi të rolit jetik të arbëreshëve në historinë shqiptare dhe evropiane.

Ai theksoi angazhimin për përfshirjen në UNESCO të “Motit të Madh” – si një mënyrë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore gjuhësore dhe fetare të arbëreshëve.

Kreu i shtetit bëri thirrje për fuqizim të bashkëpunimit ekonomik e kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë, me projekte konkrete në turizëm, bujqësi, artizanat dhe shkëmbime studentore e artistike.

Vetëm me bashkëpunim konkret dhe partneritete të besueshme do të forcojmë marrëdhëniet tona,” – theksoi Begaj.

Në përmbyllje të vizitës, Presidenti njoftoi se, nën kujdesin e tij, tre komuna arbëreshe do të vendosin bustet e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në sheshet kryesore të tyre, si simbol i forcës dhe trashëgimisë arbëreshe.

Besoj te forca e kësaj miqësie, te vëllazëria dhe te këta tre flamuj – shqiptar, italian dhe i BE-së. Së bashku jemi më të fortë,” përfundoi Presidenti Begaj.