
Një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, ku jetojnë më shumë se 1000 lloje kafshësh dhe bimësh, u shpall Park Kombëtar nga qeveria shqiptare, duke e bërë Vjosën të parin e këtij lloji në kontinent. Por, pamjet që na vijnë nga Lumi i Vjosës tregojnë një skandal, ku një përrua ma ndaftë bruto derdhet në lumin e fundit të egër i Evropës.
Park Kombëtar i Vjosës ende kërcënohet nga mbetjet e përpunimit të naftës, një ndotje kjo e vazhdueshme dhe e denoncuar edhe më herët nga Report Tv. I pari që dokumentoi ndotjen në lumin e Vjosës ishte fotografi dhe aktivisti i RiverWatch Joshua David Lim, përmes një video të ndarë në rrjetet e tij sociale, i cili e përshkruan zonën e Vjosës si një “një lumë të vdekur, ku asgjë nuk mbijeton”.

Nga autoritetet ende nuk ka asnjë reagim, ndërsa një muaj më parë u aplikua për ta përfshirë Vjosën në UNESCO, si pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës.
Organizata “EcoAlbania” ka ndarë këto pamje të ndotjes skandaloze në të cilat dallohet se nafta derdhet në lumin e Vjosës, aq sa ka shkaktuar edhe ndotjen e gjallesave. Siç shihet edhe në pamje, një gjarpër ka ngordhur për shkak të ndotjes nga nafta.

Pamjet janë kapur në afërsi të Poçemit në Mallakastër, i cili shtrihet në këmbë të krahinës së Vllahinës, aty ku ndodhet fusha burimore naftëmbajtëse Gorisht-Kocul. Nafta e Gorishtit vërshon nga stacioni në Vjosë pasi i bashkohet Përroit të Madh të Mërtirajt.
Të vendosura midis zonës rurale të Luginës së Vjosës dhe Luginës së Shushicës, aty gjenden rreth 150 puse aktive nafte, që shkojnë deri në 1500 metra thellësi, të shpërndara në një sipërfaqe prej 6 km². Pika më e afërt e presionit industrial ndaj shtratit të lumit ndodhet rreth 1,300 metra larg lumit Vjosa, afër zonës së Poçemit. /Shqiptarja