
Nga qyteti i Beratit, Policia e Shtetit, në cilësinë e Presidentes së SEPCA-s për vitin 2025, drejtoi punimet e Asamblesë Rajonale të Drejtuesve të Policive të Europës Juglindore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në fjalën përmbyllëse në cilësinë e Presidentit të SEPCA-s, theksoi domosdoshmërinë e përfshirjes së plotë të Kosovës në këtë organizatë rajonale të sigurisë.
“Asnjë justifikim dhe asnjë barrierë nuk duhet të pengojë bashkëpunimin në luftën kundër krimeve globale. Kemi një mision fisnik dhe të vështirë, por jo të pamundur: të luftojmë krimin dhe të garantojmë rend e siguri për qytetarët tanë,” u shpreh Proda.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të hapur dhe të sinqertë mes policive dhe agjencive ligjzbatuese në rajon si armë kundër kriminalitetit: “Përderisa krimi nuk njeh kufij apo ngjyrë, as ne nuk duhet të veprojmë me emocione apo ngjyrime. Ligji është bibla jonë. Qytetarët janë thesari ynë!”
Në përfundim, kreu i Policisë së Shtetit bëri thirrje për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe përfshirjen e Policisë së Kosovës si anëtare me të drejta të plota në SEPCA: “SEPCA-s i mungon një anëtare e domosdoshme — Policia e Kosovës. Shpresoj që, me mirëkuptimin dhe mbështetjen e të gjithë pjesëmarrësve, ajo të bëhet sa më shpejt anëtare e plotë dhe jo vetëm në statusin e ftuarit.”