
Pak minuta përpara se avionët luftarakë izraelitë të godisnin 20 objektiva në Iran si përgjigje ndaj një sulmi me raketa që theu armëpushimin, një telefonatë urgjente ndodhi mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas burimeve për The Jerusalem Post, Trump i kërkoi me vendosmëri Netanyahut: “Ndalo sulmin.” Gjatë bisedës, Netanyahu thuhet se nuk pati shumë mundësi për të folur, por përsëriti disa herë falënderimet ndaj presidentit amerikan.
Burimi e përshkroi telefonatën si “shumë të tensionuar”, duke shtuar se Trump e konsideronte ndalimin e përshkallëzimit si një arritje personale diplomatike dhe nuk pranonte që askush ta vinte në dyshim.
Pas bisedës, pilotët e Forcave Ajrore Izraelite morën urdhër të tërhiqen. Në vend të objektivave të planifikuar fillimisht, Izraeli goditi vetëm një stacion radari në afërsi të Teheranit, si kompromis.
Ndërkohë, Uashingtoni kishte dërguar një paralajmërim të prerë edhe për Teheranin, përmes ndërmjetësve nga Katari, duke thënë: “Asnjë lojë, ndalni menjëherë sulmet.”
Burime izraelite konfirmuan se aktualisht janë në diskutim mekanizma të përbashkët mes SHBA-së dhe Izraelit për të reaguar ndaj çdo përpjekjeje të Iranit për të rifilluar programet bërthamore apo raketore.
Ndërsa tensionet mbeten të larta, Katari po përpiqet të ringjallë bisedimet bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit. Sipas raportimeve, zyrtarë katarezë dhe i dërguari i Trump, Steven Witkoff, zhvilluan takime intensive të martën mbrëma për këtë qëllim. Teherani ka deklaruar se është i gatshëm të rifillojë negociatat sapo Izraeli të ndalojë sulmet.