
Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane në Tiranë ka theksuar rëndësinë strategjike të investimit të 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, duke e cilësuar si një hap me ndikim përtej fushës ushtarake. Ky mesazh vjen në kuadër të samitit dyditor të NATO-s që po zhvillohet në Hagë, ku nën drejtimin e presidentit Donald Trump, 32 aleatët pritet të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e Aleancës.
Sipas ambasadës, ky angazhim financiar do të kontribuojë në forcimin e sigurisë kolektive dhe në ndërtimin e kapaciteteve më të mëdha për të përballuar kërcënimet e sotme globale.
“Investimi i 5% të PBB-së në mbrojtje do të na bëjë më të fortë, por ndikimi i tij shkon përtej ushtrisë,” thuhet në postim.
Samiti në Hagë synon të dërgojë një mesazh të qartë ndaj Rusisë për unitetin dhe vendosmërinë e NATO-s përballë çdo kërcënimi. Në fokus është miratimi i objektivit të ri të shpenzimeve për mbrojtje, që përbën një rritje të ndjeshme nga pragu aktual prej 2%.
Kreu i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi mospërmbushjen e këtij angazhimi nga ana e vendeve evropiane si një “pengesë dhe irritim të madh”, ndërsa nënvizoi se aleatët duhet të barazohen me kontributin e Shteteve të Bashkuara. Samiti aktual është i pari ku Presidenti Trump merr pjesë që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në janar 2025.