Vendosni fjalën kyçe....

Imami shqiptar akuzon krerët muslimanë si të kapur nga Gulen dhe Izraeli


Hoxha Ladi Lushi, i diplomuar në studime islame në Jordani, i ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, ka kritikuar ashpër udhëheqësit e Komunitetit Mysliman në Shqipëri për mungesën e reagimit ndaj konfliktit në Gaza dhe rolin që sipas tij duhet të kishin pas shtetit.

Imami thekson se Komuniteti Mysliman duhet të ishte i pari që sensibilizon dhe vepron për realitetin në Lindjen e Mesme.

“Komuniteti mysliman duhet të kishte rol shumë të madh këtu. Duhet të ishte direkt pas shtetit ai që sensibilizonte dhe vepronte në mënyrat e duhura, me të diturit, me profesorë, me akademikë, me të gjithë, që të sensibilizohej situata dhe t’u thuhej njerëzve realiteti,” tha ai.

Sipas Lushit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë udhëhiqet nga një rrymë gyleniste, e cila nuk e ka këtë çështje si prioritet.

“Komuniteteti mysliman duhet të kishte rol shumë të madh këtu, duhet të ishte direkt pas shtetit ai i cili sensibilizonte edhe të vepronte në mënyrat, me të diturit, me profesorë, me akademikë me të gjithë, që të sensibilizohej situata dhe tju thuhej njerzve realiteti, por realisht siç e dini edhe komitetet mysliman udhëhiqet nga një rrymë e cila është gyleniste.

Ata nuk e kanë prioritet këtë çështje. Gati-gati duket sikur nuk kanë asnjë interes fare. Vetëm një reagim ka pasur nga kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, gjatë këtij Bajrami, që unë e quajta reagimin më domethënës deri tani.” – tha ai.

Imami përshkruan situatën tragjike në Gaza, ku sipas tij “vriten fëmijë, copëtohen gratë, shkatërrohen xhami.”

“Ka dy vite që lufta vazhdon. Në Gaza vriten fëmijë, copëtohen gratë, shkatërrohen xhami. Xhamia është shpirti dhe zemra jonë. Edhe si mund ta lejojmë këtë?

Në lagjen time është një sinagogë, por ne s’kemi menduar ndonjëherë as ta prekim sinagogën sepseajo është faltorja e tyre.”

A ka dy qëndrime brenda Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për këtë konflikt apo janë të unifikuar në qëndrim?

“Ata nuk prononcohen.

Edhe Irani, nuk është se e kemi parë në favorin tonë, se kur ka ardhur puna kundra sunitëve ka vepruar kundra. Ndërsa kur vjen çështja që sulmohet Irani, ne me ndjenja fetare dhe njerëzore jemi kundra luftës.” – tha ai.

I pyetur për fajtorët në këtë konflikt, imami tha: “Realisht ne gjithmonë si superfuqi kemi ditur Amerikën. Mirëpo, kur del kryeministri i Izraelit dhe thotë hapur: ‘Ishim ne ata që e udhëhoqëm Amerikën drejt pushtimit të Irakut,’ kuptojmë shumë gjëra.”

Ai paralajmëroi për pasojat e këtij konflikti: “Mund të ketë mbi një milion viktima, nga ato që unë kam parë në statistika. Tani imagjino se sa viktima të tjera do ketë.”

Por, sipas tij, kjo nuk i intereson Izraelit, i cili  tha se ata “nuk ndalen. Ata thjesht vazhdojnë punën e tyre, pushtimet, duke u fshehur gjithmonë pas një ombrellë të tyre: ‘Jemi të kërcënuar, sepse rrezikohet ekzistenca jonë.’”

Lushi në fund tha: “Në fakt, Izraeli është bërë si një gjarpër në mes të botës arabe dhe po i shpërthen njëri pas tjetrit.”