Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-të sulmojnë Iranin, Trump: Sulmet ishin një sukses spektakolar ushtarak


Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore kundër objekteve bërthamore në Iran, ndërsa Presidenti Donald Trump e ka cilësuar ndërhyrjen si një “sukses të madh” dhe ka deklaruar se të gjithë avionët amerikanë janë kthyer të sigurt në bazë.

Në një fjalim drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë, mbrëmjen e së shtunës, Trump tha se sulmet ndaj tre objekteve kryesore të pasurimit bërthamor të Iranit ishin një “sukses spektakolar ushtarak”.
“Sonte, i raportoj botës se sulmet ishin një sukses spektakolar ushtarak. Objektet kryesore të pasurimit bërthamor të Iranit janë shkatërruar plotësisht”, deklaroi ai.

Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se SHBA është e gatshme të ndërmarrë veprime të tjera ushtarake nëse Irani nuk zgjedh rrugën e paqes. Ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara preferojnë një zgjidhje diplomatike, por vepruan për të goditur infrastrukturën bërthamore të Teheranit pas rritjes së tensioneve, raporton Inquirer.Net.

“Irani, dhunuesi i Lindjes së Mesme, tani duhet të bëjë paqe. Nëse nuk e bën, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta”, tha Trump. “Kjo nuk mund të vazhdojë. Ose do të ketë paqe, ose do të ketë tragjedi për Iranin, shumë më të madhe se ajo që kemi parë gjatë tetë ditëve të fundit. Mos harroni, kanë mbetur shumë objektiva.”

Trump paralajmëroi se SHBA-të mund të “sulmonin ato objektiva të tjera me precizion, shpejtësi dhe aftësi”, gjë që ai tha se mund të bëhej “brenda pak minutash”.

Pas fjalimit të tij, Trump përdori mediat sociale për të lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit, duke u zotuar për hakmarrje të madhe nëse Irani përgjigjet me forcë.

Në fillim, Donald Trump ishte i prirur të arrinte një marrëveshje bërthamore me Iranin një ide që ai e promovoi për javë të tëra para se Izraeli të kryente sulmin e parë ndaj Teheranit. Edhe pas sulmit izraelit, ai vazhdoi të theksonte se Irani dëshironte të arrinte një marrëveshje dhe i la derën hapur diplomacisë.

Megjithatë, ndërsa situata përshkallëzohej dhe sulmet vazhdonin, qëndrimi i Trump filloi të ndryshonte. Të martën, ai deklaroi se kërkonte “një fund të vërtetë, jo një armëpushim, një përfundim të plotë të konfliktit, ose dorëzim të plotë. Edhe kjo është e pranueshme”, tha ai.

Më vonë po atë ditë, ai e përforcoi qëndrimin e tij, duke postuar vetëm dy fjalë në rrjetin e tij Truth Social, me shkronja të mëdha: “DORËZIM PA KUSHT”.

Pasi filloi të përqafojë idenë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të ushtrisë amerikane, Trump njoftoi të enjten një afat dyjavor për të vendosur nëse SHBA do të ndërmarrin apo jo një sulm ndaj Iranit. Ai e arsyetoi këtë periudhë pritjeje si një mundësi për t’i dhënë një shans të fundit diplomacisë, duke deklaruar se vendimi i tij do të bazohej në “mundësinë e zhvillimit të negociatave të sinqerta me Iranin në të ardhmen e afërt”.