Vendosni fjalën kyçe....

SHBA godet Iranin, liderët botërorë bëjnë thirrje për një zgjidhje diplomatike


Liderët botërorë kanë reaguar pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore të Iranit, duke shprehur frikën për përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe duke bërë thirrje për zgjidhje diplomatike.

Në Vatikan, Papa Leoni XIV bëri thirrje për paqe gjatë lutjes Angelus, duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të “ulin armët” dhe të shmangin një tragjedi të pakthyeshme. Ai theksoi se “njerëzimi po thërret për paqe më shumë se kurrë”.

Papa Leoni i bëri thirrje çdo anëtari të bashkësisë ndërkombëtare të marrë përsipër përgjegjësinë e tij morale për të “ndaluar tragjedinë e luftës përpara se ajo të shndërrohet në një humnerë të pariparueshme”.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, në një postim në rrjetin X, i kërkoi Iranit të tregojë përmbajtje dhe të angazhohet për një zgjidhje diplomatike, duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar nuk ka marrë pjesë në këto sulme. Kryeministri Keir Starmer gjithashtu e cilësoi programin bërthamor të Iranit si një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare dhe i bëri thirrje Teheranit të rikthehet në tryezën e bisedimeve.

Franca, përmes ministrit të Jashtëm Jean-Noël Barrot, tha se i kishte ndjekur me shqetësim sulmet dhe përsëriti kundërshtimin e saj ndaj pajisjes së Iranit me armë bërthamore. Ai theksoi se zgjidhja e vetme afatgjatë është ajo e negociuar, në përputhje me Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, dhe se Franca mbetet e gatshme të ndihmojë në këtë proces me partnerët ndërkombëtarë.

Gjermania reagoi përmes zëdhënësit të qeverisë Stefan Kornelius, i cili tha se kancelari Friedrich Merz dhe kabineti i sigurisë janë në konsultime të ngushta me partnerët e BE-së dhe SHBA-së për hapat e mëtejshëm. Ai përsëriti thirrjen për negociata të menjëhershme mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit.

Rusia dënoi me forcë sulmet amerikane, duke i cilësuar si të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa paralajmëroi se veprimet e SHBA-së mund të çojnë në një përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit dhe të dëmtojnë më tej sigurinë rajonale.

Edhe Kina reagoi ashpër, duke i cilësuar sulmet si shkelje të qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së. Pekini u bëri thirrje të gjitha palëve, veçanërisht Izraelit, që të ndalojnë menjëherë sulmet dhe të kthehen në dialog, duke theksuar se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në rajon.

Turqia gjithashtu shprehu shqetësim të thellë për pasojat e mundshme të sulmeve, duke paralajmëruar për rrezikun e shndërrimit të konfliktit rajonal në një përplasje globale. Ankaraja bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve dhe për rikthim në negociata si e vetmja rrugë për zgjidhjen e çështjes bërthamore të Iranit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se stabiliteti në rajon duhet të jetë përparësi dhe theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtës ndërkombëtare. Ajo bëri thirrje për një angazhim të besueshëm diplomatik nga Irani. Në të njëjtën linjë, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se diplomacia është mënyra e vetme për të arritur paqe në Lindjen e Mesme dhe paralajmëroi për rrezikun që civilët të jenë viktima të përshkallëzimit.

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, shprehu shqetësim për situatën e paqëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe theksoi se zgjidhja e krizës duhet të përfshijë edhe një armëpushim në Gaza. Ai u bëri thirrje palëve të rikthehen në negociata.

Edhe Japonia reagoi përmes kryeministrit Shigeru Ishiba, i cili tha se ndalimi i zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani është thelbësor dhe se prioritet mbetet ulja e tensioneve. Ai theksoi se Tokio po e ndjek nga afër situatën.

Pakistani dënoi gjithashtu sulmet amerikane dhe shprehu shqetësim për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme deklaroi se Irani ka të drejtë legjitime për të mbrojtur veten dhe theksoi domosdoshmërinë për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe mbrojtjen e civilëve.

Libani kërkoi neutralitet të rreptë, me kryeministrin Navaf Salam që deklaroi se vendi duhet të qëndrojë jashtë përshkallëzimeve rajonale.

Edhe kryeministri britanik Kryeministri britanik Keir Starmer i ka bërë thirrje Iranit të rikthehet në tryezën e negociatave, pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane. Në një deklaratë në platformën X, Starmer theksoi se programi bërthamor i Iranit përbën një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare dhe se nuk duhet lejuar kurrë që Teherani të zhvillojë armë bërthamore.

Qeveria irakiane dënoi sulmet ajrore amerikane , duke thënë se përshkallëzimi ushtarak krijoi një kërcënim të rëndë për paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme. Ajo tha se kjo paraqet rreziqe serioze për stabilitetin rajonal dhe bëri thirrje për përpjekje diplomatike për të çtensionuar krizën.

“Vazhdimi i sulmeve të tilla rrezikon një përshkallëzim të rrezikshëm me pasoja që shtrihen përtej kufijve të çdo shteti të vetëm, duke kërcënuar sigurinë e të gjithë rajonit dhe botës”, tha në një deklaratë zëdhënësi i qeverisë Bassem al-Awadi.

Arabia Saudite shprehu “shqetësim të thellë” në lidhje me sulmet ajrore të SHBA-së, por nuk i dënoi ato.

“Mbretëria nënvizon nevojën për të ushtruar të gjitha përpjekjet e mundshme për të ushtruar përmbajtje, për të ulur tensionet dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë.

Ministria e Jashtme e Katarit në një deklaratë u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe “të shmangin përshkallëzimin, të cilin popujt e rajonit, të rënduar nga konfliktet dhe pasojat e tyre tragjike humanitare, nuk mund ta tolerojnë”.

Katari ka shërbyer si ndërmjetës kryesor në luftën Izrael-Hamas.

Italia e pranoi rrezikun që paraqesin objektet bërthamore të Iranit, por shpreson se ky veprim do të nxisë diplomacinë dhe uljen e tensioneve. Ministri i Jashtëm italian paralajmëroi për pasoja të mundshme mbi sigurinë bërthamore dhe njoftoi se do të zhvillojë një bisedë me kreun e IAEA-së, Rafael Mariano Grossi. Ai shtoi se Italia po ndihmon qytetarët e saj të largohen nga Irani dhe Izraeli.

Holanda, që po përgatitet të presë një samit të NATO-s këtë javë ku do të marrë pjesë edhe Presidenti Trump, reagoi me shqetësim. Ministri i Jashtëm Caspar Veldkamp njoftoi se këshilli i sigurisë kombëtare do të mblidhet për të analizuar situatën. Ai e cilësoi sulmin amerikan si “një përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë shqetësuese”.

 

Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha