Vendosni fjalën kyçe....

Nis vaksinimi i personaliteteve në Air Albania, Rama: Kanë sakrifikuar për t’i dhënë vlera shoqërisë


Ka nisur procesi i vaksinimit te stadiumi “Air Albania” në kryeqytet edhe këtë të dielë.

E siç ka njoftuar më parë kryeministri Edi Rama, sot do të nisë vaksinimi i personaliteteve që janë mbi moshën 80-vjeçare.

Disa prej personaliteteve që janë bërë gati të marrin vaksinën janë: Tinka Kurti, Sherif Merdani, Aleksandër Meksi, Alfred Moisiu, Margarita Xhepa.

Lidhur me këtë ndarje apo diferencim klasor kryeministri Edi Rama ka marrë mjaft kritika, ndërsa ka patur edhe përplasje në distancë me presidentin Ilir Meta, i cili tha që një diferencim i till bëhet vetëm nga “një shtet dictatorial dhe një dictator”.

Nga një vizitë në Elbasan, Rama iu përgjigj kritikave duke thënë se këta personalitete kanë sakrifikuar dhe i kanë dhënë vlera shoqërisë sonë.

“Bëhet fjalë për të filluar vaksinimin me personalitete, që janë 80-vjeçarë dhe për të dhënë një mesazh solidariteti me ta, një mesazh përkujdesjeje për ta.

Vë re një farë sekëlldie kur këta njerëz ndahen nga jeta, ka një moment lotderdhje dhe rrjedhje fjalësh e fjalimesh për ta, që nuk ma ha mendja se do të dukeshin më bukur, nëse ne do duhej të përballeshim larg qoftë me humbjen e ndonjërit prej tyre, për shkak të mungesës së vaksinës. Nga ana tjetër, edhe për të shfrytëzuar pozitivisht imazhin dhe influencën e tyre te njerëzit, në kushtet kur vaksinimi është një fushatë kudo.

Nuk janë as të parët me diferencë, janë të parët në një ditë të parë, ku do të vaksinohen edhe njerëz të zakonshëm. Fillon me ta në mënyrë simbolike, në mënyrë shembullore, për të vijuar me tjerët. Por edhe këtë rast e përdorën për të shfryrë mllefin ndaj qeverisë dhe ndaj meje. Janë njerëz që i kanë dhënë kësaj shoqërie, kanë kontribuar dhe sakrifikuar për të krijuar vlera në këtë shoqëri, ndaj nuk besoj se do të ishte e denjë të ngrihej gjithë kjo stuhi në gotë, kur bëhet fjalë në fakt për dhjetëra persona, që në peshën e vaksinave që do të bëhen, janë disa pika ujë në det.”- tha Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *