
Dy nga figurat më të njohura të opozitës iraniane i kanë bërë thirrje Ajatollah Ali Khamenei-t të dorëhiqet për të shmangur gjakderdhje të mëtejshme, pas sulmeve të paprecedenta të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Reza Pahlavi, djali i shahut të përmbysur nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, dhe Maryam Rajavi, udhëheqësja e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit (MEK), e cila është e ndaluar në Iran, kërkuan në deklarata të ndara largimin e Khamenei-t pas më shumë se një jave lufte mes Iranit dhe Izraelit, përcjell AFP.
Vendndodhja e liderit suprem, i cili ka udhëhequr Iranin që nga viti 1989, mbetet e paqartë, ndërsa Izraeli nuk ka përjashtuar mundësinë e eliminimit të tij fizik. Grupet opozitare pretendojnë se Khamenei është fshehur në një bunker nëntokësor dhe ka ndërprerë kontaktet, përveç me një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh.
“Tani Khamenei duhet të largohet,” deklaroi Rajavi, duke e quajtur projektin e tij “jopatriotik” dhe duke thënë se gjithçka “ka përfunduar në hi.”
“Jo pajtimit, jo luftës, po ndryshimit të regjimit — ndryshimit të diktaturës fetare nga populli iranian dhe rezistenca,” shtoi ajo.
Nga ana tjetër, Reza Pahlavi tha se “mënyra e vetme e sigurt për të arritur paqen është përfundimi i këtij regjimi.”
“Ndërsa Khamenei mendon si të përgjigjet nga bunkeri i tij nëntokësor, unë i them: Për të mirën e popullit iranian, përgjigju duke u tërhequr,” deklaroi ai.
Ndërkohë, fituesja e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2023, Narges Mohammadi, e cila ndodhet ende në Iran në leje nga dënimi i saj me burg, kritikoi regjimin si “fetar, autoritar dhe mizogjin.” Ajo kërkoi ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe theksoi se “demokracia dhe paqja nuk lindin nga errësira e luftës.”
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi të dielën se sulmet amerikane “shkatërruan” programin bërthamor të Iranit, por theksoi se SHBA nuk po kërkon rrëzimin e regjimit klerikal.