
Shahu i Iranit Mohammad Reza Pahlavi
Nëse qëllimi i deklaruar i Izraelit është të sjellë ndryshimin e regjimit në Iran, politikanët, diplomatët dhe udhëheqësit e tij ushtarakë mund të përfitojnë nga një kuptim më i thellë i grushteve të shtetit të mbështetura nga jashtë në të kaluarën dhe pasojat e tyre afatgjata.
Një rast veçanërisht i rëndësishëm qëndron te vetë Irani. Rreth 72 vjet më parë, pas një krize midis kompanisë anglo-iraniane të naftës – një konglomerat i fuqishëm britanik – dhe vendimit të qeverisë iraniane për të shtetëzuar industrinë e naftës së vendit, CIA, me mbështetjen britanike, orkestroi një grusht shteti që rrëzoi kryeministrin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammad Mosaddegh.
Në vend të tij, Gjenerali Fazlollah Zahedi u vendos si kreu i një qeverie ushtarake, duke hapur rrugën për rikthimin e Shah Mohammad Reza Pahlavi.
Grushti i shtetit arriti të siguronte kontrollin perëndimor mbi naftën e Iranit për 26 vitet e ardhshme, por gjithashtu mbolli farat e doktrinës anti-perëndimore të Iranit. Ai nxiti pakënaqësi në rritje ndaj ndërhyrjes së SHBA-së në punët e Iranit, duke kulmuar me Revolucionin Islamik të vitit 1979.

Mohammad Mosaddegh
Në vitin 2013, CIA pranoi zyrtarisht përfshirjen e saj të drejtpërdrejtë në planifikimin dhe ekzekutimin e grushtit të shtetit, duke përfshirë ryshfetin e politikanëve dhe oficerëve ushtarakë dhe shpërndarjen e propagandës për të ndikuar në opinionin publik.
Grushti i shtetit i vitit 1953 qëndron si një shpatë me dy tehe: nga njëra anë, një model për politikën e jashtme amerikane që synonte zëvendësimin e qeverive jo miqësore ndaj interesave të SHBA-së (ose shumë miqësore me sovjetikët në atë kohë); nga ana tjetër, një rrëfim paralajmërues. U dha shumë iranianëve arsye për të mbështetur regjimin klerikal, duke besuar se interesat e SHBA-së drejtohen më shumë nga përfitimi ekonomik dhe gjeopolitik sesa nga shqetësimi i vërtetë për qytetarët iranianë.
Ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sinjalizon një bashkërendim të mundshëm ushtarak me sulmet izraelite ndaj objektivave iraniane – ndërkohë që nuk i bën jehonë thirrjeve të hapura të kryeministrit Benjamin Netanyahu për ndryshim regjimi – ai ka të ngjarë të ketë në mendje precedentët rajonalë.

Afganët përpiqen të arratisen nga vendi pas tërheqjes së trupave amerikane
SHBA-të shpenzuan triliona dollarë dhe humbën mijëra jetë duke dëbuar talebanët nga Afganistani, vetëm për të parë grupin të rimerrte kontrollin dy dekada më vonë. Në Irak, largimi i Sadam Huseinit çoi në ngritjen e ISIS-it, i cili përfundimisht detyroi një përfshirje të re ushtarake perëndimore. Edhe rrëzimi i Muamar Gadafit në Libi, i mbështetur nga NATO, u shndërrua në një luftë civile dhe mungesë ligji të vijueshme.
Këto ndërhyrje kanë lënë ndjenja të thella antiamerikane midis shumë myslimanëve në rajon, të nxitura nga vdekjet, shkatërrimet dhe zhgënjimet e përhapura. Për më tepër, ndërsa narrativat perëndimore shpesh përqendrohen te miliona iranianë që supozohet se presin revolucionin, është e rëndësishme të mbahet mend se dhjetëra milionë ende e mbështesin regjimin – dhe disa madje besojnë se nuk është mjaftueshëm fundamentalist.
Një revolucion i dhunshëm mund të shkaktojë një luftë civile të përgjakshme, një skenar që mund të përforcojë preferencën e administratës Trump për mosndërhyrje.
Kur një regjim nuk ka asgjë për të humbur
Sundimtarët e Iranit e kuptojnë mirë rëndësinë e një përmbysjeje të detyruar – në fund të fundit, vetë Republika Islamike erdhi në pushtet përmes revolucionit. Kjo histori i bën ata më të prirur të përgjigjen me dhunë masive nëse besojnë se po përballen me largim të menjëhershëm, veçanërisht nëse ndiejnë se nuk kanë më asgjë për të humbur.

Kreu Suprem i Iranit Ali Khamenei
Ndërhyrja amerikane nuk kufizohet vetëm në Lindjen e Mesme. Në vende si Nikaragua, Haiti, Angola dhe Vietnami, përpjekjet e mbështetura nga SHBA-ja për të instaluar regjime të favorshme shpesh dështuan. Që nga Lufta e Dytë Botërore, vetëm demokratizimi i Gjermanisë dhe Japonisë – vende me të cilat SHBA-ja është përplasur në luftë – mund të konsiderohen suksese të qëndrueshme dhe madje edhe ato erdhën me konsensus të gjerë perëndimor. Operacioneve të tjera të ndryshimit të regjimit u mungonte si urgjenca ashtu edhe mbështetja e unifikuar.
Mund të ketë pak qeveri aq brutale dhe represive sa ajo e Iranit. Arrestimet arbitrare, torturat, ekzekutimet dhe shtypja e përhapur e grave, individëve LGBTQ dhe pakicave janë të mirëdokumentuara. Nëse i shtohet kësaj fushatat e tij të terrorit me anë të ndërmjetësve, shitjet e armëve në Rusi dhe ambiciet bërthamore, Irani përbën një kërcënim të vërtetë për sigurinë dhe stabilitetin global.
Megjithatë, historia u ka mësuar qytetarëve iranianë se rrëzimi i një regjimi nuk garanton një të ardhme më të mirë. Kjo e vërtetë e kthjellët, i kombinuar me gatishmërinë e regjimit për të përdorur forcën, mund ta bëjë publikun iranian të mendojë dy herë para se të ngrihet në protesta
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani