
Presidenti i Republikës së Italisë ka nderuar me titullin prestigjioz “Kalorës i Urdhrit të Yllit të Italisë” dy drejtues të lartë të Policisë së Shtetit shqiptar: Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe Drejtorin e Antiterrorit, Alban Dautaj.
Ceremonia e dorëzimit të titujve u zhvillua në Ambasadën e Italisë në Tiranë, ku dekoratat u akorduan nga Ambasadori Marco Alberti. Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të larta nga Shqipëria dhe Italia, përfshirë Presidentin e Republikës Bajram Begaj, zëvendësministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ilir Proda, rektorin e UT Artan Hoxha dhe prokurorin e SPAK Adnan Xholi.
Dekoratat u dhanë si vlerësim për kontributin e jashtëzakonshëm të të dy drejtuesve në forcimin e marrëdhënieve policore shqiptaro-italiane dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar.
Neritan Nallbati, sipas ambasadorit Alberti, është vlerësuar për rolin kyç në:
Ndërtimin e skuadrave të përbashkëta hetimore,
Kapjen e shtetasve të rrezikshëm të shpallur në kërkim nga drejtësia italiane,
Si dhe për forcimin e operacioneve të përbashkëta ndërkombëtare.
Alban Dautaj u vlerësua për:
Bashkëpunimin e përditshëm me Policinë italiane në fushën e sigurisë,
Rolin e tij në krijimin e grupit trepalësh “Skënderbeg” (Shqipëri-Itali-Kosovë) për luftën kundër terrorizmit,
Si dhe për kontributin e vazhdueshëm në shkëmbimin e shpejtë të informacionit operacional.
Në fjalën e tij, ambasadori Alberti tha:
“Puna e përbashkët mes policive tona është një nga shtyllat e bashkëpunimit dypalësh. Nallbati dhe Dautaj janë figura të çmuara që e përfaqësojnë denjësisht Policinë e Shtetit shqiptar në këtë partneritet të veçantë.”
Nallbati, pas marrjes së dekoratës, e cilësoi këtë vlerësim si “një mirënjohje për gjithë ekipin e Policisë Kriminale dhe për bashkëpunimin e ndërtuar mbi besim dhe përkushtim të ndërsjellë”.
Dautaj e quajti dekoratën “finalizim i një marrëdhënieje të shkëlqyer në fushën e sigurisë” dhe falënderoi partnerët italianë, veçanërisht Zyrën e Interforcës së Ambasadës Italiane, për angazhimin e përbashkët në misionet kundër terrorizmit.