
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, gjatë fjalës së tij në Komisionin e Stabilizim-Asociimit në Strasburg, ngriti shqetësime të forta mbi procesin zgjedhor të fundit në Shqipëri, duke theksuar se vendi po përjeton një regres demokratik.
Bylykbashi tha se raporti paraprak i ODIHR konfirmon përfundimisht, dhe jo vetëm në mënyrë indicie, se nuk ka pasur një fushë loje të barabartë mes palëve politike. Sipas tij, qeveria ka abuzuar me pozitat e saj si mazhorancë duke përdorur pushtetin në mënyrë të padrejtë gjatë zgjedhjeve.
“Nuk mund të flasim për hapje kapitujsh me Bashkimin Europian, nëse nuk garantohen zgjedhje të ndershme dhe drejtësi e pavarur,” tha Bylykbashi, duke theksuar se pa demokraci funksionale, çdo progres në letër mbetet bosh.
Deputeti demokrat përmendi shkelje të rënda si manipulimi i votës, shkelja e fshehtësisë, votimi familjar, si dhe probleme serioze me votimin nga diaspora, ku shumë qytetarë nuk morën fletën e votimit apo u votua në emër të tyre pa dijeni.
Ai rikujtoi se reforma e fundit zgjedhore me konsensus daton në vitin 2012 dhe që prej atëherë nuk ka pasur asnjë përpjekje serioze për ndryshime gjithëpërfshirëse.
“Shqipëria nuk mund të jetë ‘kampione në letra’ ndërsa në realitet shtyhet gjithnjë e më larg vlerave themelore të demokracisë,” u shpreh Bylykbashi, duke i bërë thirrje institucioneve europiane që integrimi të kushtëzohet jo me deklarata politike, por me zhvillime reale në terren.