Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i OpenAI: Meta po ofron mbi 100 milionë dollarë për të joshur stafin tim


Shefi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ka deklaruar se disa anëtarë të ekipit të tij kanë marrë “oferta gjigante” nga kompania rivale Meta, përfshirë “bonuse nënshkrimi” prej 100 milionë dollarësh (rreth 74.3 milionë paund).

Meta, e cila zotëron platformat Facebook, Instagram dhe WhatsApp – po përpiqet të fuqizojë sektorin e saj të inteligjencës artificiale (AI), përfshirë edhe një investim prej 14 miliardë dollarësh për të blerë 49% të startup-it Scale AI.

Megjithatë, Altman u shpreh se “të paktën deri më tani”, asnjë prej anëtarëve më të mirë të ekipit të tij nuk është bindur të largohet, përcjell BBC.

Duke folur në podcast-in e vëllait të tij Jack Altman, Sam Altman tha se e respekton agresivitetin e Metës në garën kundër OpenAI, që ka krijuar produktin më të njohur në botë të fuqizuar nga AI, ChatGPT.

Ai shtoi se, përveç bonuseve të nënshkrimit, Meta po ofron edhe më shumë në “kompensim vjetor”, edhe pse nuk sqaroi nëse bëhet fjalë për paga, opsione aksionesh apo stimuj të tjerë.

Sipas Altman, njerëzit po qëndrojnë në OpenAI për shkak të “misionit” të saj për të krijuar superinteligjencë dhe përfitimeve ekonomike që vijnë me të.

OpenAI dhe kompani të tjera të AI-së besojnë se inteligjenca artificiale e përgjithshme (AGI) është shumë afër, çka do të thotë që sistemet e AI mund të performojnë po aq mirë – ose më mirë – se njerëzit. Superinteligjenca është hapi tjetër, ku qëllimi është krijimi i një AI që tejkalon ndjeshëm aftësitë njohëse të njerëzve.

Gjigantët e teknologjisë po shpenzojnë shuma të mëdha në këtë drejtim.

Për shembull, në janar, OpenAI njoftoi një marrëveshje të përbashkët me investitorë të tjerë për të shpenzuar 500 miliardë dollarë në ndërtimin e qendrave të reja të të dhënave në SHBA, të cilat fuqizojnë sistemet e AI.

Altman u shpreh se beson që OpenAI “ka shumë më tepër gjasa të realizojë superinteligjencën dhe ndoshta të bëhet kompania më e vlefshme në të ardhmen.”

Ai shtoi se kultura e veçantë e OpenAI-së është ajo që i tërheq inxhinierët, sidomos për sa i përket inovacionit.

“Ka shumë gjëra që i respektoj te Meta si kompani, por nuk mendoj se është një kompani e mirë në inovacion,” tha Altman në podcast-in e vëllait të tij.

Megjithëse e cilësoi përpjekjen e Metës për superinteligjencë si “racionale,” ai e krahasoi atë me përpjekjen e dështuar të Google për të krijuar një platformë të ngjashme me Facebook.

Komentet e Altman janë vetëm një shembull i fundit i mënyrës se si figurat kryesore të teknologjisë shprehen publikisht për veprimet e rivalëve të tyre, me podcast-et që po bëhen gjithnjë e më të njohura për këto vlerësime – ndonjëherë jo shumë të këndshme.

Në podcast-in e Joe Rogan në janar, themeluesi i Metës, Mark Zuckerberg, e quajti iPhone-in e Apple si “pa dyshim një nga shpikjet më të rëndësishme të të gjitha kohërave.” Por shtoi se kompania kohët e fundit “ka qenë shumë larg formës së saj më të mirë, duke mos prezantuar ndonjë risi të rëndësishme.”

Megjithatë, kjo deklaratë është e zbutur krahasuar me marrëdhënien e tensionuar të Zuckerberg me Elon Musk, me të cilin janë kërcënuar edhe për një përballje në kafaz.

Musk është gjithashtu në një betejë ligjore me Sam Altman për themelimin e OpenAI.