
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, priti sot në një vizitë zyrtare Komisionerin e Bashkimit Europian për Rininë, Kulturën dhe Sportin, z. Glen Micallef, në shkollën profesionale “Gjergj Canco” në Tiranë.
Në këtë takim morën pjesë edhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, si dhe përfaqësues nga UNDP dhe UNICEF.
Lajmi u bë i ditur nga ministri Blendi Gonxhja përmes një postimi në Facebook, ku ai vlerësoi takimin si një hap të rëndësishëm drejt përforcimit të mbështetjes për të rinjtë shqiptarë.
Në fokus të diskutimeve ishte Garancia Rinore, një nismë që synon të nxisë punësimin dhe formimin profesional të të rinjve, si dhe programet e Bashkimit Europian në këtë drejtim, duke adresuar sfidat e tregut aktual të punës.
Pjesëmarrësit zhvilluan një dialog të hapur me të rinjtë, duke theksuar se energjia dhe angazhimi i tyre janë motivimi kryesor përse investimi tek rinia mbetet prioritet i çdo politike zhvillimore.