Vendosni fjalën kyçe....

Agron Gjekmarkaj ironizon socialistët në Kuvend: Të shpallet Miss Fjalimi për higjienë mendore dhe shpirtërore


Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, njëkohësisht edhe nënkryetar i Kuvendit, ka ironizuar socialistët në seancën e sotme plenare, duke i quajtur fjalimet e tyre si “në nivele të larta estetike”.

Gjekmarkaj e çoi më tej ironinë, duke propozuar që të shpallet një Miss Fjalimi ose Miss Oratoria, ku fjalimi fitues të lexohet në seancën e fundit për higjienë mendore dhe shpirtërore.

Në fjalën e tij, ai përmendi disa deputetë socialistë, duke përgëzuar Taulant Ballën për angazhimin e tij pranë Ministrisë së Energjetikës, ndërsa ironizoi fjalimet e disa kolegëve të tij, duke sugjeruar që të krijohet një komision estetik për vlerësimin e tyre.

“Duket qartë që ky është një projektligj që e nxjerr Shqipërinë në selamet. Dua të përgëzoj zotin Balla, i cili e ka kuptuar që nuk e justifikon dot rrogën si ministër për Parlamentit dhe ka dy seanca që është bërë yzmeqar pranë Ministrisë së Energjetikës”, tha Gjekmarkaj.

Debati u shoqërua me ndërhyrjen e Elisa Spiropalit, e cila i sugjeroi Gjekmarkajt që komentet e tij të bëhen me shkrim, duke theksuar se nuk ishin pjesë e procedurës parlamentare.

“Fjalimi fitues të lexohet në seancën e fundit për higjienë mendore dhe shpirtërore në shenjë respekti për deputetët”, shtoi Gjekmarkaj.