
Bisedimet e planifikuara për të dielën mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për çështjen bërthamore nuk do të zhvillohen, njoftoi Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, përmes një postimi në platformën X, përcj3ll Reuters.
Omani, i cili ka ndërmjetësuar raundet e fundit të negociatave mes dy vendeve, nuk dha arsye specifike për anulimin, por njoftimi vjen një ditë pasi Izraeli ndërmori një ofensivë të gjerë ajrore ndaj Iranit, duke vrarë komandantë ushtarakë, shkencëtarë dhe duke goditur objekte bërthamore.
Sipas deklaratave zyrtare izraelite, sulmet kishin për qëllim të ndalonin Iranin nga ndërtimi i një arme bërthamore.
Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili foli në kushte anonimiteti, konfirmoi për Reuters se bisedimet e së dielës janë anuluar.
Megjithatë, ai theksoi se Uashingtoni mbetet i angazhuar për negociatat dhe shpreson që “iranianët të rikthehen së shpejti në tryezën e bisedimeve.”
Omani ka luajtur një rol të rëndësishëm ndërmjetësues në përpjekjet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit, veçanërisht në kohë tensioni të lartë. Nuk dihet ende nëse raundi i ardhshëm i bisedimeve do të caktohet së shpejti.