Vendosni fjalën kyçe....

“Mesazh për Teheranin dhe botën arabe” – Mediat arabe qëndrime të ndryshme pas sulmit izraelit ndaj Iranit


Fushata ajrore e Izraelit ndaj objekteve ushtarake iraniane të premten në mëngjes ka shkaktuar një seri të gjerë reagimesh në gjithë median arabe, me mbulimin që pasqyron interpretime të ndryshme të qëllimit të sulmit, llogaritjes strategjike dhe pasojave të mundshme për rajonin.

Ndërsa zyrtarët izraelitë e paraqitën operacionin si një përgjigje të kufizuar parandaluese, mediat në gjithë Lindjen e Mesme po analizojnë se çfarë sinjalizon në të vërtetë ky veprim – jo vetëm për Teheranin, por edhe për aktorët rajonalë dhe globalë.

Sulmi, i cili shënjestroi disa vende ushtarake në Iranin qendror, duke përfshirë zonat përreth Natanzit dhe Isfahanit – vjen mes tensioneve në rritje mbi programin raketor të Iranit dhe përpjekjeve të fundit për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje bërthamore. Udhëheqja e Iranit e minimizoi dëmin si “të vogël”.

Gazetarët dhe analistët arabë nuk kanë qëndrime njëzëri në mënyrën se si i shohin objektivat e Izraelit. Në gjithë botën arabe, mbulimi mediatik pasqyron jo vetëm paragjykime politike, por edhe pasiguri të vërtetë rajonale. Për disa, sulmi ishte një lëvizje e matur mirë për parandalim. Për të tjerët, mund të jetë hapja e një cikli më të gjatë hakmarrjeje – një cikël që përfundimisht mund të tërheqë shumë shtete në luftë përtej Izraelit dhe Iranit.

Gazeta Al-Araby Al-Jadeed me seli në Londër, e cila financohet nga Katari, botoi një shkrim me titull “Mbi kuptimet e sulmit Izraelit ndaj Iranit”. Analisti i gazetës paraqiti pikëpamjen se operacioni izraelit ishte “një sulm i qëllimshëm dhe i kufizuar”, që nuk kishte për qëllim të provokonte përshkallëzim, por të rivendoste frenimin e Teheranit pas një vale provokimesh të fundit iraniane.

Shkrimi vuri në dukje se Izraeli me shumë gjasa i kishte përcjellë qëllimet e tij nëpërmjet kanaleve diplomatike të tërthorta, ndoshta nëpërmjet qeverive të palëve të treta, për të minimizuar viktimat dhe për të shmangur një përgjigje të menjëhershme iraniane. Shkrimi arriti në përfundimin se Izraeli kërkoi të tregonte aftësi dhe vendosmëri pa kaluar vijat e kuqe të Teheranit.

Televizioni Al Arabiya i financuar nga Arabia Saudite u përqendrua në gatishmërinë rajonale dhe sinjalizimin politik. Gazeta citoi në mënyrë të spikatur komentet e Netanyahut pas sulmit – “Kurrë më ” – dhe theksoi qëndrimin mbrojtës të Izraelit si mbrojtje jo vetëm të popullsisë së vet, por edhe të “stabilitetit rajonal” nga zgjerimi iranian. Gjithashtu raportoi se udhëzime të menjëhershme u lëshuan në disa pjesë të Izraelit verior, duke i nxitur civilët të qëndronin pranë strehimoreve për shkak të frikës nga një përgjigje e vonuar iraniane.

Ndërkohë, Asharq Al-Aësat, një gazetë me seli në Londër e financuar nga Arabia Saudite, ofroi një perspektivë më teknike, në terren. Në raportin e saj të lajmeve, gazeta përshkroi se si ndodhi sulmi në tre valë, që thuhet se përfshinin dronë ose pajisje të tjera të vogla ajrore që synonin afërsisht 20 instalime ushtarake.

Mbulimi theksoi kontrastin midis pohimeve izraelite për sukses operacional dhe deklaratës zyrtare të Iranit se “asnjë strukturë kritike nuk u dëmtua”. Gazeta u përmbajt nga mbajtja e një qëndrimi editorial dhe u përqendrua në mbledhjen e të dhënave të verifikuara në terren dhe në krahasimin e deklaratave nga burime izraelite dhe iraniane.

Një pikëpamje më skeptike u botua nga Hussein Majdoubi në Al-Quds Al-Arabi, një gazetë e pavarur panarabe me seli gjithashtu në Londër.

Në editorialin e tij, Majdoubi vuri në pikëpyetje narrativën e pavarësisë së Izraelit në ekzekutimin e sulmit, duke argumentuar se Izraelit i mungon aftësia strategjike me rreze të gjatë për të nisur një operacion të tillë – dhe për të mbrojtur hapësirën e tij ajrore nga hakmarrja – pa mbështetje të thellë logjistike dhe të inteligjencës nga SHBA-të.

Ai vuri në dukje mbështetjen e Izraelit në sistemet amerikane të mbrojtjes nga raketat gjatë sulmit hakmarrës të Iranit në prill 2024, kur u kapën mbi 300 dronë dhe raketa, kryesisht përmes platformave të SHBA-së dhe aleatëve.

Majdoubi shkroi: “Nuk ka gjasa që Netanyahu të ketë ndërmarrë një hap të tillë pa garanci nga Shtëpia e Bardhë ose CENTCOM. Nga ana operative, Izraeli nuk vepron në një hapësirë boshe.”

Shkrimi i tij ngriti shqetësime se, ndërsa sulmi u paraqit publikisht si i njëanshëm, ai mund të jetë bashkërenduar në heshtje me Uashingtonin.

Shafaq News, një media rajonale me seli në Bagdad, mbuloi deklaratat e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i cili konfirmoi se, ndërsa Uashingtoni ishte njoftuar paraprakisht, “Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përfshira në mënyrë operative”. Rubio përsëriti se mbrojtja e forcave amerikane në gjithë Lindjen e Mesme mbetet një përparësi kryesore dhe tha se Uashingtoni po i nxit “të dyja palët të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm”.

Në mënyrë të ngjashme, RT Arabic, e financuar nga shteti rus, publikoi një raport duke cituar analistë rajonalë të paidentifikuar, të cilët argumentuan se qëndrimi i Izraelit për pavarësi ka të ngjarë të jetë i ekzagjeruar. Ndërsa shkrimi vuri në dukje qëllimin e Izraelit për të sinjalizuar forcë, ai hodhi dyshime mbi aftësinë e tij për të përballuar një përplasje të zgjatur me Iranin pa mbështetjen logjistike amerikane.

Al Mayadeen, një media me seli në Bejrut, e lidhur ngushtë me Boshtin e Rezistencës, ofroi disa nga interpretimet më kritike. Në një segment editorial të titulluar “Agresioni Sionist ndaj Iranit: Të shpëtosh nga Kaosi apo të përballesh me Rënien?”, media e paraqiti operacionin izraelit si një rrezik të motivuar politikisht – një përpjekje nga Kryeministri Benjamin Netanyahu për të zhvendosur vëmendjen e publikut nga paqëndrueshmëria e brendshme politike drejt një kundërshtari të jashtëm. Analistët në kanal argumentuan se drejtuesit e Izraelit, të përballur me polarizim të thellë të brendshëm, po kërkonin të riafirmonte frenimin kundër Iranit dhe rrjeteve të tij aleate në Liban, Siri dhe Irak.

Duke folur në panelin e përditshëm të Al Mayadeen, analisti ushtarak Ali Murad sugjeroi se sulmi nuk ishte vetëm ushtarak, por edhe psikologjik. Ai përmendi rrjedhjet paraprake të informacionit në mediat amerikane dhe arabe si pjesë e strategjisë së Izraelit për të përgatitur opinionin ndërkombëtar dhe për të zvogëluar rrezikun e hakmarrjes së paparashikueshme.

“Ishte një mesazh për Iranin, por edhe për botën arabe dhe Gjirin: Izraeli do veprojë kur të kalohen vijat e kuqe”, tha Murad.

Një segment tjetër i titulluar “Lexim Ushtarak: A mund ta godasë Izraeli Iranin i vetëm?” vuri në pikëpyetje narrativën e vetëmbështetjes së Izraelit dhe theksoi varësinë e Izraelit nga inteligjenca satelitore e përbashkët SHBA-Izrael dhe integrimi i mbrojtjes nga raketat.

Al Jazeera Arabic, media e financuar nga Katari, e njohur për shtrirjen e saj të gjerë rajonale, paraqiti një analizë të drejtpërdrejtë të sulmit. Rrjeti e paraqiti operacionin e Izraelit si një përpjekje të mundshme për të formësuar peizazhin diplomatik, veçanërisht në dritën e bisedimeve bërthamore të bllokuara SHBA-Iran. Analistët sugjeruan se Izraeli mund të jetë duke u përpjekur të provokojë një përgjigje të matur iraniane për të krijuar ndikim ose për të ndikuar te politikëbërësit perëndimorë.

Një analist, Tareq Al-Naimi, deklaroi në transmetim se “Izraeli luan rolin e zbatuesit të zhurmshëm të Perëndimit – “mikut të tij të çmendur” – i aftë të veprojë aty ku të tjerët nuk veprojnë”.

Në gjithë rajonin, komentet arabe pasqyrojnë modele të shumta. Shumica e mediave bien dakord se sulmi izraelit ishte i llogaritur, i kufizuar në fushëveprim dhe shmangu qëllimisht objektivat simbolikë ose katastrofikë si objektet bërthamore ose infrastruktura e naftës. Ekziston një kuptim i përgjithshëm se si Izraeli ashtu edhe Irani po veprojnë sipas logjikës së parandalimit, jo sipas përshkallëzimit të luftës së hapur.

Megjithatë, ka më pak dakordësi mbi natyrën e pavarësisë së Izraelit. Ndërsa burimet izraelite pretendojnë autonomi të plotë, analistët nga Al-Quds Al-Arabi, RT Arabic dhe Al Mayadeen argumentojnë se operacione të tilla kërkojnë përfshirjen e SHBA-së – qoftë në formën e inteligjencës teknike, sistemeve të paralajmërimit të hershëm apo mbështetjes mbrojtëse.

Për të tjerë, përfshirë Al-Araby Al-Jadeed, sulmi pasqyron një kthim në “luftën e mesazheve” – ​​përdorim të kufizuar të forcës për të komunikuar vijat e kuqe. Në të kundërt, media si Al Arabiya e shohin atë si pjesë të një strategjie më të gjerë izraelite për të pohuar lidershipin rajonal kundër forcimit iranian, një qëndrim që ata argumentojnë se mbron jo vetëm Izraelin, por edhe shtetet arabe të Gjirit që janë gjithnjë e më të shqetësuara me ndikimin e Teheranit.

Deri më tani, përgjigja retorike e Iranit ka qenë e nënvlerësuar. Ai e ka dënuar sulmin, por ka theksuar se nuk është dëmtuar asnjë infrastrukturë jetësore. Izraeli ka raportuar një përgjigje ushtarake iraniane me të paktën 100 dronë të drejtuar drejt Izraelit, por IDF-ja tha se ia doli të rrëzonte dronët.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani