Vendosni fjalën kyçe....

Berisha pas rihapjes së dosjes McGonigal në SHBA: Aktiviteti me Ramën lidhet me kompani ruse, drejtësia shqiptare heshti


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas rihapjes së dosjes së ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një goditje të rëndë për kryeministrin Edi Rama.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se aktiviteti i McGonigal gjatë kohës që ndodhej në Shqipëri kishte lidhje të drejtpërdrejta me kompani ruse dhe se bashkëpunimi i tij me kryeministrin Rama është pjesë e këtyre dyshimeve.

Ai akuzoi drejtësinë shqiptare se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, ndonëse ndaj McGonigal është depozituar një padi në SPAK.

“Dosja McGonigal është fakt i rëndë për Ramën. Drejtësia amerikane dënoi të korruptuarin McGonigal me 2.4 vite burg për dosjen me Edi Ramën. Tani kjo dosje është hapur sërish, me aludime se ai ka qenë spiun rus, pra spiun i një vendi tjetër”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri shtoi më tej se McGonigal kishte tentuar të përfitonte miliona euro nga politikanë dhe biznesmenë shqiptarë, duke u premtuar se do i ndihmonte për t’u hequr nga lista e zezë e SHBA-së, pavarësisht nëse ndodheshin apo jo në atë listë.

“McGonigal në Shqipëri është përpjekur të marrë miliona euro, duke iu thënë politikanëve apo biznesmenëve se do i nxirrte nga lista e zezë amerikane. U shpall ‘Qytetar Nderi’ në Tropojë dhe kjo është një turp i madh“, tha ai.

Dosja McGonigal është një çështje që ka shkaktuar jehonë ndërkombëtare dhe ka përfshirë edhe zhvillime në Shqipëri, për shkak të kontakteve të ish-agjentit të FBI-së me zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare.

 Rihapja e saj në SHBA është parë si një sinjal i ri për hetime të mundshme mbi lidhjet e këtij rasti me aktorë të huaj dhe të brendshëm.