
Grupimi ekstremist Shteti Islamik (ISIS) po tenton të rikthehet në skenën rajonale duke shfrytëzuar rënien e regjimit të Bashar al-Assad në Siri dhe pasiguritë që kanë pasuar në rajon, paralajmërojnë zyrtarë të sigurisë nga Siria, Iraku, SHBA dhe Europa.
Mbi 20 burime të ndryshme – përfshirë zyrtarë të inteligjencës, politikanë dhe diplomatë – thanë për Reuters se ISIS ka filluar të riaktivizojë celulat e fjetura në Siri dhe Irak, të identifikojë objektiva, të shpërndajë armë dhe të intensifikojë përpjekjet për rekrutime dhe propagandë.
Megjithatë, efektet e deritanishme të këtyre përpjekjeve duket se kanë qenë të kufizuara. Autoritetet e sigurisë në të dy vendet pretendojnë se kanë arritur të parandalojnë të paktën një duzinë komplotesh të mëdha vetëm gjatë këtij viti.
Një rast konkret ndodhi në dhjetor, kur rebelët përparonin drejt Damaskut dhe ISIS urdhëroi dy të dërguar nga afër Raqqas që të udhëtonin drejt Irakut me instruksione verbale për të nisur sulme. Të dy u kapën në një pikë kontrolli në veri të Irakut më 2 dhjetor, sipas zyrtarëve irakianë.
Bazuar në informacionet që ofruan, forcat irakiane lokalizuan dhe vranë një sulmues vetëvrasës në një restorant të mbushur me njerëz në qytetin Daquq, përpara se të shpërthente lëndën plasëse që mbante me vete.
Kolonel Abdul Ameer al-Bayati nga Divizioni i 8-të i Ushtrisë Irakiane deklaroi se ky ishte një shembull i qartë se “elementët e Shtetit Islamik kanë filluar të riaktivizohen pas viteve të tëra në ilegalitet, të trimëruar nga kaosi në Siri”.
Pavarësisht tentativave të rikthimit, të dhënat tregojnë se aktiviteti zyrtar i grupit ka rënë. Sipas SITE Intelligence Group, ISIS mori përgjegjësinë për 38 sulme në Siri në pesë muajt e parë të vitit 2025, shifër që pritet të arrijë rreth 90 deri në fund të vitit – një e treta e totalit të vitit të kaluar.
Në Irak, vendi nga ku lindi grupi, janë raportuar vetëm katër sulme të pretenduara nga ISIS deri në maj 2025, krahasuar me 61 gjatë vitit të kaluar.
Zyrtarët amerikanë dhe irakianë besojnë se mbetjet e ISIS-it janë dobësuar ndjeshëm që kur koalicioni i udhëhequr nga SHBA i dëboi nga fortesat e tyre në vitin 2019 dhe nuk kanë më aftësi për të kontrolluar territore.
Zëdhënësi i qeverisë irakiane, Sabah al-Numan, theksoi rolin e operacioneve parandaluese dhe goditjeve të synuara me dronë e teknologji të avancuar, duke i konsideruar këto faktorë kyç në frenimin e grupit ekstremist.
Qeveria e re islamiste në Siri, e drejtuar nga Ahmed al-Sharaa, nuk ka reaguar në lidhje me aktivitetet e ISIS-it. Ministri i Mbrojtjes, Murhaf Abu Qasra, tha më herët këtë vit se vendi po forcon kapacitetet e zbulimit dhe do të përballet me çdo kërcënim ndaj sigurisë.
Ndërkohë, agjencitë evropiane të inteligjencës kanë raportuar lëvizjet e para të një numri të vogël të luftëtarëve të huaj nga Europa drejt Sirisë për herë të parë pas disa vitesh. Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse ata janë bashkuar me ISIS apo me ndonjë grup tjetër xhihadist.
Në kulmin e fuqisë së tij mes viteve 2014-2017, ISIS kontrollonte afro një të tretën e territorit të Sirisë dhe Irakut, duke imponuar një version ekstrem të ligjit islamik dhe duke kryer mizori që tronditën botën.
Edhe pse zyrtarët nuk e shohin një rikthim të afërt të këtij niveli të fuqisë, ata paralajmërojnë se grupi mbetet një armik elastik dhe i aftë për të shfrytëzuar vakumet e pushtetit. Prandaj, ata thonë se përjashtimi i plotë i rrezikut do të ishte i parakohshëm.