Vendosni fjalën kyçe....

Megi Fino zgjidhet kryetare e Këshillit Bashkiak


Megi Fino është zgjedhur kryetare e Këshillit Bashkiak pas propozimit të Kryetarit të Grupit të këshilltarëve socialist, Eridian Salianji. Në të njëjtën seancë, Endrit Braimllari u emërua në postin e nënkryetarit. Fino do të zëvendësojë në këtë detyrë Romina Kukon.

Ajo ka një formim akademik në fushën e drejtësisë, me studime të kryera në Pekin dhe Londër, duke përfshirë diplomën Master në të Drejtë Publike Ndërkombëtare dhe një diplomë tjetër në Praktikën Ligjore. Gjatë studimeve, ka punuar si këshilltare ligjore për çështje emigracioni dhe në qendra për shërbim juridik falas.

Pas vitit 2018, ka qenë avokate në studion ligjore CMS Adonnino Ascoli & Cavasola Scamoni dhe eksperte rregullatore në Vodafone Albania. Në vitin 2021, ka kontribuar në hartimin e Indeksit të Integritetit, pjesë e një projekti të reformës së qeverisjes lokale, duke shërbyer si këshilltare në Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara.

Fino ka njohuri në disa gjuhë të huaja, përfshirë anglishten, spanjishten, kinezishten, italishten dhe greqishten. Që prej qershorit 2021, ajo shërben si Zëvendësministre në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në detyrën e re si kryetare e Këshillit Bashkiak, ajo pritet të sjellë përvojën e saj në administratën publike.