
Marina izraelite ka kryer sulme ndaj porteve në qytetin portual Hodeida në Jemen, një zonë e kontrolluar nga rebelët Huthi, duke dëmtuar struktura kyçe që shërbejnë për transportimin e ndihmave humanitare.
Ky është hera e parë që forcat detare izraelite përfshihen drejtpërdrejt në sulme ndaj rebelëve Huthi. Ushtria izraelite njoftoi se sulmet u kryen nga anije raketore të marinës.
Sulmi i së martës ndodhi në një kohë kur rebelët Huthi kanë intensifikuar lëshimin e raketave dhe dronëve drejt Izraelit, si përgjigje ndaj ofensivës së tij ushtarake në Rripin e Gazës kundër Hamasit.
Rebelët Huthi konfirmuan sulmin përmes kanalit të tyre televiziv al-Masirah, duke deklaruar se objektiv i goditjeve ishin portet, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Izraeli kishte paralajmëruar një ditë më parë nëpërmjet njoftimeve online popullsinë jemene që të largohej nga portet Ras Isa, Hodeida dhe al-Salif, duke i akuzuar Huthitë për përdorimin e këtyre porteve për qëllime ushtarake.
“Porti po përdoret për transferimin e armëve dhe është një shembull tjetër i përdorimit cinik të infrastrukturës civile nga regjimi terrorist Huthi për të avancuar aktivitetet e tij terroriste,” thuhet në deklaratën zyrtare të ushtrisë izraelite./AP