Vendosni fjalën kyçe....

Celibashi: Nisin javën e ardhshme rinumërimet për Tiranën dhe Fierin


Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi njoftoi se javën e ardhshme do të nisë rinumërimi i rreth 610 mijë votave në qarqet Tiranë dhe Fier. Procesi do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” dhe do të realizohet nga stafi i KQZ-së, pa përfshirjen e partive politike. Celibashi theksoi se kjo vjen pas vendimit të KAS-it, që ka pranuar kërkesat për rinumërim bazuar në dokumentacionin dhe pamjet filmike të administruara nga KQZ.

“Po jap disa informacione të karakterit teknik. Ky proces do të realizohet nga stafi i KQZ, në dallim me këtë proces të zhvilluar pas përfundimit të votimit dhe nxjerrës së rezultatit, i cili si proces është realizuar nga numërues dhe komisionerë të caktuar nga partitë politike.

Në këtë rast procesi do realizohet nga stafi i KQZ. Partitë politike s’kanë asnjë angazhim në këtë proces. Sikurse mundet ta keni konstatuar, KAS ka ardhur në këtë vendimmarrje me kërkesë të dy anëtarëve të këtij organi, pasi janë vlerësuar pretendimet e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve për deputetë, bazuar në dokumentacionin që iu është dhënë nga KQZ dhe pamjeve filmike.

E them këtë për të evidentuar faktin që sistemi i administrimit, i mbikëqyrjes së procesit të numërimit dhe tabelimit të rezultatit ka funksionuar sic duhet sepse bazuar në ato të dhëna iu është krijuar mundësia kandidatëve për pretendimet, ngelet për tu parë sesa qëndrojnë këto pretendime.

KAS do të vendosë dhe disponojë mbi cdo element të këtij procesi të rinumërimit. Bëhet fjalë për rinumërimin e rreth 610301 vota për të dy qarqet, Tiranën dhe Fierin. Parashikojmë që të fillojë të hënën ose të martën e javës që vjen.”, tha Celibashi.