
Pas një procesi riformatimi, Orkestra Simfonike e Shkodrës rikthehet fuqishëm në skenën e teatrit “Migjeni” me koncertin e titulluar “From West to East”. Nën drejtimin artistik të Elda Laros, në këtë mbrëmje muzikore performoi edhe sopranoja e njohur Ana Naqe, e cila së bashku me orkestrën solli për publikun një repertor të zgjedhur me vepra të autorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
Ky ishte koncerti i parë i Elda Laros si drejtuese artistike e orkestrës, e cila shprehu entuziazmin për planet e ardhshme: “Do të vazhdojmë përgatitjet për të sjellë në Shkodër emra të mëdhenj të muzikës shqiptare, të cilët do të performojnë krah orkestrës sonë simfonike.”
Koncerti solli emocione të veçanta dhe dëshmoi potencialin e madh artistik që qyteti i Shkodrës ka për të ofruar. Me përkushtimin e drejtueses artistike dhe bashkëpunimin me figura të njohura të muzikës shqiptare, Orkestra Simfonike e Shkodrës synon të bëhet një pikë referimi për artin dhe muzikën klasike në Shqipëri.