Vendosni fjalën kyçe....

Musk kritikon ashpër projektligjin e Trump për lehtësime tatimore: Një neveri, turp për ata që e votuan


Elon Musk sulmoi ashpër të martën projektligjin e ri për lehtësime tatimore dhe shkurtime shpenzimesh të promovuar nga Presidenti Donald Trump, duke e cilësuar si një “gjë të neveritshme”.

Komenti i tij publik në platformën X (ish-Twitter) shënon një distancim të fortë nga administrata republikane, vetëm pak ditë pasi Trump e kishte përshëndetur me tone të ngrohta në Zyrën Ovale, pas përfundimit të detyrës së Musk si drejtues i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë.

“Më vjen keq, por thjesht nuk mund ta duroj më”, shkroi Musk në një postim në X. “Ky projektligj masiv, skandaloz dhe plot arrogancë për shpenzimet e Kongresit është një neveri e neveritshme. Turp për ata që votuan për të: e dini që keni bërë gabim. E dini këtë.”

Projektligji, i cili tashmë është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndodhet në fazë debati në Senat, pritet të ndikojë drejtpërdrejt interesat e kompanisë Tesla, në pronësi të Musk, shkruan AP.

Ai parashikon kufizime të konsiderueshme në subvencionet për makinat elektrike, çka do të prekë përfitimet aktuale që merr prodhuesi lider në këtë industri.

Musk pasoi kritikat e tij me një kërcënim drejtuar republikanëve.

Në nëntor të vitit të ardhshëm, ne i shkarkojmë nga puna të gjithë politikanët që tradhtuan popullin amerikan”, shkroi ai në një postim tjetër në X.