
Policia lokale e Folignos në Itali ka goditur një rrjet të shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një operacioni të organizuar me pjesëmarrjen e disa patrullave. Si rezultat i kontrollit, dy shtetas shqiptarë rreth të njëzetave u arrestuan, njëri prej të cilëve kishte precedentë penalë. Gjatë aksionit, autoritetet sekuestruan gjithsej njëzet doza kokaine, të cilat, sipas hetimeve, shiteshin me çmimin prej 70 euro për dozë.
Komandantja e policisë lokale, Simonetta Daidone, deklaroi: “Identifikuam një të ri me sjellje të dyshimtë dhe e ndoqëm në momentin që i dorëzoi diçka një përdoruesi.” Nga hetimet rezultoi se përdoruesi ishte në kontakt edhe me një person tjetër, duke çuar kështu në zbulimin dhe ndalimin e një shpërndarësi të dytë.
Të arrestuarit nuk janë rezidentë në Foligno, por kishin frekuentuar qytetin prej disa muajsh. Arrestimet u konfirmuan nga Gjykata e Spoletos, megjithatë, të dy u lanë të lirë pas verifikimeve të para.
Kryetari i bashkisë së Folignos, Stefano Zuccarini, e vlerësoi aksionin si një sukses të rëndësishëm: “Shpreh kënaqësinë e madhe për këtë operacion. Aktiviteti i policisë lokale është zgjeruar ndjeshëm, jo vetëm në menaxhimin e territorit, por edhe në fushën e hetimeve dhe arrestimeve.”