Vendosni fjalën kyçe....

“Treni bullgar” në Peqin, Prokuroria nis hetimet për rastin


Prokuroria ka konfirmuar zyrtarisht nisjen e hetimeve për ngjarjen e ndodhur më 22 maj 2025 në fshatin Pekisht të Peqinit, të njohur ndryshe si rasti i “trenit bullgar” – një skemë e dyshuar për manipulim të votave.

Në një përgjigje zyrtare drejtuar Partisë Demokratike, protokolluar me nr. 5470, datë 26.05.2025, organi i akuzës njofton se është regjistruar procedimi penal nr. 522, për veprën penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve”, në bazë të nenit 326 të Kodit Penal.

“Procedimi ndodhet aktualisht në fazë hetimi,” thuhet në dokumentin zyrtar, pa dhënë informacione mbi të dyshuarit apo provat e administruara.

PD ka denoncuar publikisht përdorimin e modelit “treni bullgar” në disa zona të vendit, përfshirë Peqinin. Sipas saj, në këtë skemë përdoren fletë votimi të paravotuara që kalojnë nga një votues te tjetri brenda qendrës së votimit, për të ndikuar rezultatin zgjedhor në favor të mazhorancës.